Delegacioni rus është nisur për në Stamboll për një raund të ri negociatash me Ukrainën, njoftoi sot zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov..
Sipas burimeve në Ministrinë e Jashtme të Turqisë, bisedimet pritet të fillojnë në orën 19:00 (1600 GMT) në hotelin “Çıragan Palace”.
“Sigurisht që do të jetë një bisedë shumë e vështirë”, u shpreh Peskov, sipas agjencisë ruse të lajmeve TASS.
Në qendër të bisedimeve do të jenë shkëmbimet e të burgosurve, megjithatë, sipas Peskovit, mund të diskutohen edhe çështje të tjera nëse do të jetë e nevojshme.
Delegacioni rus do të kryesohet sërish nga këshilltari presidencial dhe ish-ministri i Kulturës, Vladimir Medinsky.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e kishte njoftuar më herët këtë takim, por theksoi se pritshmëritë duhet të jenë të moderuara. Ai theksoi se prioritet i Kievit është zgjerimi i shkëmbimit të të burgosurve dhe kthimi i fëmijëve të rrëmbyer nga Rusia në territoret e pushtuara.
Negociatori kryesor i Ukrainës do të jetë sërish Rustem Umerov, ish-ministri i Mbrojtjes dhe tani sekretari i sapoemëruar i Këshillit të Mbrojtes dhe Sigurisë Kombëtare..
Moska dhe Kievi kanë rifilluar bisedimet direkte në muajin maj për herë të parë që nga viti 2022.
Një përparim drejt armëpushimit në këtë raund të tretë negociatash konsiderohet i pamundur.
Rusia vazhdon luftën e saj të përmasave të plota kundër Ukrainës prej më shumë se tre vitesh.