I transferuar verën e kaluar për 2.7 milionë euro nga Girona, Pau Victor duket se do ta mbyllë shpejt aventurën te Barcelona, vetëm pas një sezoni.
23-vjeçari do largohet nga Barcelona, për shkak të minutave të pakta që ka pasur në dispozicion vitin e kaluar, vetëm 379 minuta në total, gjë që me siguri do përsëritej edhe këtë sezon, pasi spanjolli nuk është në planet e Hansi Flick.
“The Athletic” raporton se Pau Victor është drejt transferimit te Braga në Portugali, për 12 milionë euro direkt plus 3 milionë euro bonuse, në total 15 milionë euro.
Po ashtu në marrëveshje Barcelona do të mbajë një përqindje të caktuar për shitjen e tij të radhës në të ardhmen dhe një klauzolë riblerje.
Pau Victor nuk është lojtari i vetëm që do të largohet nga Barcelona në këtë verë. Në listë janë edhe emra të tjerë, ku padyshim më shumë në sy bie emri i Marc Andre ter Stegen, të cilit edhe pse i është bërë i ditur vendimi për t’u larguar, ai sërish nuk pranon, të paktën deri tani.