Umerov: Ukraina është gati për armëpushim tani

- Bota Sot

Umerov: Ukraina është gati për armëpushim tani

Ukraina vazhdon të këmbëngulë për një armëpushim të plotë dhe pa kushte si një bazë e domosdoshme për diplomaci efektive.

Këtë e deklaroi kreu i delegacionit ukrainas, sekretari i Këshillit të Sigurisë dhe Mbrojtjes Kombëtare Rustem Umerov, pas takimit të ekipeve negociuese të Ukrainës dhe Rusisë në Stamboll, transmeton Ukrinform.

"Ne jemi gati për një armëpushim tani dhe për fillimin e negociatave thelbësore për paqe. Dhe varet nga të dyja palët të bien dakord për këtë hap themelor drejt paqes. Ne theksojmë se armëpushimi duhet të jetë i vërtetë. Ai duhet të përfshijë një ndërprerje të plotë të sulmeve ndaj infrastrukturës civile dhe kritike. Hapat e vërtetë janë të mundshëm dhe secila palë duhet të demonstrojë një qasje konstruktive dhe realiste", deklaroi Umerov.

Rundi i tretë i diskutimeve midis Ukrainës dhe Rusisë u zhvillua sot në Stamboll.

Takimet u nxitën nga presioni i presidentit të SHBA-së, Donald Trump. Raundi i tretë vjen pasi Trump shprehu së fundmi pakënaqësinë e tij me Moskën në lidhje me përpjekjet për ti dhënë fund luftës dhe kërcënoi me sanksione, raporton KosovaPress.

Ndërsa Kievi këmbëngul për një armëpushim pa kushte për të lejuar bisedimet për ti dhënë fund konfliktit, Rusia po i përmbahet kërkesave të saj maksimale, duke përfshirë tërheqjen e plotë të trupave ukrainase nga rajonet lindore të aneksuara në mënyrë të paligjshme nga Moska.

Delegacioni rus udhëhiqet nga këshilltari presidencial dhe ish-ministri i kulturës Vladimir Medinsky, ndërsa ekipi ukrainas nga ish-ministri i mbrojtjes Rustem Umerov.

Delegacioni ukrainas mbërriti në Stamboll pas takimit me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan në Ankara.



Read it all at Bota Sot