Milani optimist për transferimin e Jasharit

- Bota Sot

Milani optimist për transferimin e Jasharit

AC Milani po rrit ndjeshëm përpjekjet për të transferuar mesfushorin e Club Brugge, Ardon Jashari.

Pas largimeve të mundshme nga ekipi si Emerson Royal, Bennacer, Adli, Okafor dhe Colombo, drejtori sportiv Igli Tare po përgatit një ofertë të re për zviceranin 22-vjeçar, i cili është një nga objektivat kryesore të verës.

Sipas Matteo Moretto, presioni ndaj klubit belg është rritur dhe te Milani mbizotëron optimizmi për arritjen e marrëveshjes.

Club Brugge kërkon 40 milionë euro, përfshirë bonuset, ndërsa kuqezinjtë kanë qëndruar deri tani në shifrën 36-37 milionë euro. Milani synon të afrojë ofertën me kërkesën e belgëve, duke shpresuar të mbyllë transferimin para nisjes së sezonit të ri të Jupiler League këtë fundjavë.

Jashari, i shpallur lojtari më i mirë i sezonit të kaluar në Belgjikë, ka shprehur qartë dëshirën për t’u transferuar në Milano dhe nuk po merr parasysh asnjë ofertë tjetër.

Në rast marrëveshjeje, ai do të ishte përforcimi i radhës për skuadrën e Massimiliano Allegrit, pas nënshkrimit me Pervis Estupinanin.



Read it all at Bota Sot