Kumbulla nuk bind Gasperinin, drejt largimit gjatë kësaj vere

- Bota Sot

Kumbulla nuk bind Gasperinin, drejt largimit gjatë kësaj vere

Pas një sezoni thuajse perfekt me Espanyol në La Liga, ku zhvilloi 35 ndeshje si titullar absolut, Marash Kumbulla është rikthyer në Romë me shpresën për të bindur trajnerin e ri Gian Piero Gasperini.

Megjithatë, sipas raportimeve nga mediat italiane, qendërmbrojtësi i përfaqësueses shqiptare nuk bën pjesë në planet teknike të trajnerit të ri të verdhekuqve.

Roma, e cila synon të sistemojë mbrojtjen sipas kërkesave të Gasperinit, duhet të lirojë hapësira në repartin difensiv, dhe Kumbulla është një nga emrat që pritet të largohet gjatë kësaj vere.

Problemi kryesor në këtë pikë mbetet vlera e kartonit: Roma ka investuar mbi 20 milionë euro për ta transferuar nga Verona dhe nuk ka ndërmend ta shesë nën kosto. Për këtë arsye, zgjidhja më e mundshme është një tjetër huazim, dhe Espanyol, i kënaqur nga paraqitjet e tij sezonin e fundit, është gati t’i ofrojë sërish një vend titullari në Spanjë.

Nëse nuk do të paraqiten oferta të rëndësishme nga Serie A, rruga për në La Liga mund të rihapet për Kumbullën, që kërkon të gjejë vazhdimësi dhe besim të plotë nga stafi teknik.



Read it all at Bota Sot