Real Madridi merr vendim për të ardhmen e Endrickut

- Bota Sot

Real Madridi merr vendim për të ardhmen e Endrickut

Real Madridi është i gatshëm të lejojë që sulmuesi 19-vjeçar brazilian, Endrick, të largohet në formë huazimi për të siguruar që zhvillimi i tij të mos ndikohet negativisht, raporton ESPN Brasil.

Pavarësisht investimit prej 72 milionë eurosh për ish-yllin e Palmeiras në vitin 2022, koha e kufizuar e lojës për Endrick-un nën drejtimin e Carlo Ancelottit gjatë sezonit të kaluar – vetëm 847 minuta, me pesë gola në gjashtë paraqitje në Kupën e Mbretit – ka nxitur diskutime rreth mundësisë së një huazimi te një klub tjetër i LaLigas, ku ai mund të ketë më shumë minuta në fushë.

Megjithatë, vetë Endrick mbetet i vendosur të qëndrojë në Santiago Bernabeu dhe të ndjekë gjurmët e bashkatdhetarit Vinícius Júnior, i cili arriti të kapërcejë sfidat e fillimit për të fituar një vend të rëndësishëm në skuadër.

Burime pranë lojtarit theksojnë se ai është skeptik për një largim, duke përmendur përvojat jo të mira të huazimeve të mëparshme si ato të Reinier dhe Luka Jovic, në kontrast me suksesin e Vinícius-it dhe Arda Gulerit, të cilët qëndruan dhe fituan rol të rëndësishëm.

“Endrick e sheh Viníciusin si shembullin që duhet ndjekur”, ka thënë një burim për ESPN.

Trajneri i ri, Xabi Alonso, gjithashtu e sheh Endrickun si pjesë të planeve afatgjata të klubit, sidomos me Kupën e Botës 2026 në horizont.

Megjithatë, skemat taktike të Real Madridit që favorizojnë Kylian Mbappen dhe Vinícius-in si sulmues kryesorë kufizojnë mundësitë e tij aktuale për minuta.

Endrick, i cili aktualisht po rikuperohet nga një dëmtim dhe pritet të kthehet në shtator, mbetet i bindur se mund ta bindë Alonson për vlerën e tij.

Ndërsa klubi beson se një huazim mund ta ndihmojë për t’u përshtatur më shpejt me LaLigën, Real Madridi ka theksuar se një lëvizje e tillë nuk do të nënkuptonte largim të përhershëm, duke vlerësuar potencialin e madh të sulmuesit për të ardhmen. 



Read it all at Bota Sot