Marc-André ter Stegen është rikthyer sërish në qendër të vëmendjes këtë verë te Barcelona, jo për pritjet e tij vendimtare, por për problemet e vazhdueshme fizike dhe të ardhmen e paqartë në “Camp Nou”.
Portieri gjerman, një nga kapitenët e skuadrës, ka njoftuar se do t’i nënshtrohet një tjetër ndërhyrjeje kirurgjikale në shpinë, duke e lënë jashtë fushave për afërsisht tre muaj.
Vetë lojtari ka bërë publik lajmin përmes një postimi në rrjetet sociale, ku shprehu keqardhjen e tij për situatën aktuale:
“Fizikisht dhe emocionalisht ndihem mirë, por për fat të keq, dhimbjet nuk më janë larguar.
Pas diskutimeve të gjata me stafin mjekësor të Barcelonës dhe ekspertë të jashtëm, vendimi më i sigurt dhe më i shpejtë për rikuperimin tim është ndërhyrja kirurgjikale,” shkroi ai.
Kjo është hera e dytë që Ter Stegen operohet për të njëjtin problem. Në fund të vitit 2023 ai humbi 19 ndeshje për shkak të një operacioni të mëparshëm, por kësaj here rikuperimi do të zgjasë më shumë.
“Mjekët besojnë se duhen të paktën tre muaj për t’u rikthyer pa rrezikuar komplikime të tjera,” shtoi portieri.
Ky zhvillim i fundit i mbyll Barcelonës edhe mundësinë për të liruar hapësirë në Fair Play-in financiar, pasi mungesa e tij nuk përmbush kriterin e katër muajve të detyrueshëm për të regjistruar një zëvendësues të ri.
Për më tepër, ardhja e Joan García-s dhe rinovimi i Szczesny-t e kanë komplikuar pozitën e gjermanit në skuadër.
Klubi katalanas madje po shqyrton edhe largimin e Iñaki Peña-s, ndërsa nuk e ka përjashtuar mundësinë e një shitjeje të vetë Ter Stegen-it, që mban një nga kontratat më të kripura në ekip.
Megjithatë, portieri i ardhur në “Camp Nou” në vitin 2014 dhe me kontratë deri në 2028, nuk dorëzohet. “Do të rikthehem. Ju falënderoj të gjithëve për mbështetjen.
E di që nuk do të jetë e lehtë, por kam besim se do të kthehem më i fortë,” përfundoi ai.