Arabia Saudite e joshur që të investojë seriozisht te Atletiko Madridi

- Bota Sot

Arabia Saudite e joshur që të investojë seriozisht te Atletiko Madridi

Atletiko Madrid mund të mos jetë në shitje të plotë, por CEO-ja Miguel Angel Gil Marin është në bisedime për të shitur një pjesë të klubit tek investitorë të huaj. Los Rojiblancos po kërkojnë investime për projektin urbanistik që po zhvillojnë në tokën përreth stadiumit “Metropolitano”, çka mund të hapë derën për marrëveshje të tjera në të ardhmen.

Javën e kaluar u bë e ditur se grupi amerikan i investimeve “Apollo Global Management” është në bisedime me Atletikon për të blerë një pjesë të aksioneve, me Gil Marin, presidentin Enrike Çerezo dhe Ares Management që do të hollojnë pjesën e tyre.

Aktualisht, “Atletico HoldCo” zotëron 70% të klubit, ndërsa “Quantum Pacific” mban 28%. Ideja është që të hollohet pjesa prej 34% që “Ares Management” ka në “Atletico HoldCo”, si dhe 15% e Çerezo-s, ndërsa Gil Marin të mbetet aksionari kryesor dhe për rrjedhojë vendimmarrësi kryesor.

Shifra që është përmendur për këtë marrëveshje është një investim potencial prej 2.5 miliardë eurosh nga “Apollo”. Sipas “VozPopuli”, Arabia Saudite ka komunikuar gjithashtu interesin për një marrëveshje të mundshme, duke shprehur gatishmërinë për të negociuar për një pjesë të madhe të aksioneve në klub.

Fuqi e madhe nafte në Lindjen e Mesme, Arabia Saudite ka tashmë lidhje me Los Rojiblancos përmes sponsorëve, pasi Riyadh Air është sponsori kryesor i fanellës dhe stadiumit të klubit. Riyadh Air pritet që më në fund të nisë operimin si kompani ajrore pas dy vitesh reklamimi në fanellat e Atletico-s, gjatë këtij viti.

Atletico tashmë po ndërton një qendër sportive ujore dhe një plazh pranë stadiumit, si dhe kanë siguruar lejen për ndërtimin e një salle koncertesh me kapacitet 20,000 vende. Plani përfshin edhe ndërtimin e një kompleksi sportiv dhe qendrës stërvitore.

Klubi do të financojë 120 milionë euro nga fondet e veta dhe do të marrë edhe 120 milionë euro nga marrëveshja me CVC për të mbuluar një pjesë të buxhetit. Megjithatë, ata po kërkojnë edhe 500 milionë euro të tjera investim për të përfunduar projektin dhe synojnë që këto fonde t’i sigurojnë para vjeshtës. Si Apollo, ashtu edhe Arabia Saudite mund të investojnë në këtë projekt gjithashtu.



Read it all at Bota Sot