Sipas portalit të njohur turk Haberler, një incident i pazakontë ndodhi më 24 korrik në resortin bregdetar të Bodrumit, ku udhëheqësi i Çeçenisë, Ramzan Kadyrov, po kalonte pushimet verore.
Menjëherë pasi hyri në det për t’u freskuar nga temperaturat e larta të Mesdheut, Kadyrov filloi të mbytej.
Dëshmitarë okularë thanë se ai u pa në vështirësi brenda pak sekondash nga hyrja në ujë. Stafi i hotelit reagoi me shpejtësi, duke thirrur ambulancën dhe shërbimet e shpëtimit, të cilët arritën në vendngjarje në kohë rekord.
Kadyrovit iu dha ndihma e parë menjëherë në plazh nga personeli mjekësor, ndërsa u përpoqën të stabilizonin gjendjen e tij.
Pasi u dërgua në spital për trajtim të mëtejshëm, mjekët konfirmuan se nuk kishte rrezik për jetën. Ai është tashmë i liruar nga spitali dhe ndodhet në gjendje të qëndrueshme shëndetësore. Megjithatë, incidenti ka ngjallur spekulime dhe debat në rrjetet sociale, sidomos për shkak të historisë së raportimeve rreth gjendjes së tij shëndetësore.
Duhet kujtuar se inteligjenca ukrainase ka raportuar vazhdimisht se Ramzan Kadyrov vuan nga sëmundje serioze, përfshirë probleme të rënda me veshkat dhe sistemin respirator.
Ka pasur edhe spekulime për përdorimin e ilaçeve të forta dhe trajtime të shtrenjta mjekësore, për të mbajtur në kontroll gjendjen e tij, ndonëse autoritetet ruse dhe vetë Kadyrov i kanë mohuar këto raportime.
Për momentin, mbetet e paqartë nëse incidenti në Bodrum kishte lidhje me këto probleme shëndetësore të mëhershme, apo thjesht ishte një moment aksidental gjatë pushimeve të tij luksoze.