Skuadra rumune, Universitatea Craiova, nuk i bëri ballë atmosferës në stadiumin në “Koshevo” në Sarajevë, ku sipas mediave rumune ishin 25 mijë veta.
Universitatea Craiova ka pësuar humbje me rezultat 2:1 nga Sarajeva, në kuadër të ndeshjes së parë të rrethit të dytë të kualifikueseve për Conference League në futboll.
Futbollisti shqiptar, Agon Elezi, u paraqit nga minuta e 71-të në fitoren e Sarajevës.
"25,000 boshnjakë na bënë të vuajmë... Ata kënduan për 90 minuta, duke ushtruar presion dhe duke u dhënë krahë kundërshtarëve tanë.
Është radha jonë tu tregojmë atyre se sa i nxehtë mund të jetë Vullkani në Banie!”, - thuhet nga skuadra rumune.
"E prisnim këtë presion nga Sarajeva, nuk ishte befasi. Folëm edhe para ndeshjes, në konferencën për shtyp.
Pashë ndeshje zyrtare nga sezoni i kaluar, pashë ndeshjet miqësore, kështu që nuk ishte befasi as për mua dhe as për lojtarët.
E dinim që Sarajeva bën presion shumë të lartë, kokë më kokë. Fatkeqësisht, nuk ishim në gjendje të bënim atë që kishim ndërmend të bënim, dhe e gjitha për një arsye: sepse në 20 minutat e para, nga pikëpamja psikike, nuk ishim në stadium", - tha trajneri i skuadrës rumune, Mirel Radoi.