Barcelona, kërkesë specifike UEFA-s

- Bota Sot

Barcelona, kërkesë specifike UEFA-s

Barcelona nuk ndryshon kurs…

Objektivi mbetet që ta nisë dhe përfundojë sezonin 2025/26 në stadiumin e ri “Spotify Camp Nou”.

Megjithëse bashkia nuk i ka dhënë leje për ta zhvilluar “Trofeun Gamper” më 10 gusht në impiantin e rinovuar, Joan Laporta ka konfirmuar se plani nuk do të ndryshojë.

“Nuk do të marrim parasysh asnjë mundësi për t’u kthyer në Montjuïc”, – ka deklaruar presidenti blaugrana në një intervistë për “Mundo Deportivo”, duke theksuar se të gjitha planet sportive dhe financiare janë ndërtuar mbi rikthimin në shtëpinë historike të Barcelonës.

Për të fituar kohë, klubi i ka kërkuar UEFA-s që ndeshjen e parë të fazës së grupeve në Champions League ta luajë në transfertë, në mënyrë që të fitojë edhe dy javë të tjera kohë për përfundimin e punimeve. La Liga, ndërkohë ka miratuar që tri javët e para të kampionatit të zhvillohen të gjitha jashtë fushe (kundër Mallorca, Levante dhe Rayo Vallecano), duke lejuar debutimin në shtëpi vetëm në mesin e shtatorit, ndaj Valencias.

Me UEFA-n rregullat janë më të rrepta. E gjithë faza e grupeve duhet të luhet në të njëjtin stadium. Nëse “Camp Nou” nuk do të jetë gati për ndeshjen e dytë, Barça do të detyrohej të zhvendosej sërish në “Montjuïc”, të paktën deri në muajin shkurt, një skenar që Laporta e përjashton prerazi.

Presidenti blaugrana është shprehur optimist për një vendim pozitiv nga UEFA, duke theksuar se ka rivendosur një marrëdhënie të mirë me Aleksander Ceferin. “Më 28 gusht, në shortin e Champions-it, do ta respektojnë kërkesën tonë”, – ka siguruar Laporta.



Read it all at Bota Sot