Barcelona nis më në fund turin aziatik

- Bota Sot

Barcelona nis më në fund turin aziatik

Barcelona ka marrë rrugën përfundimisht drejt Azisë për të zhvilluar turin veror në Japoni dhe Korenë e Jugut.

Nisja u bë me dy ditë vonesë, pasi klubi zgjidhi një krizë që i kishte dëmtuar imazhin ndërkombëtar, ndonëse këtë herë pa pasur përgjegjësi direkte.

Falë negociatave në minutat e fundit për të garantuar pagesën prej 15 milionë eurosh nga turneu aziatik, Hansi Flick, stafi i tij teknik dhe skuadra e parë — e përforcuar me të rinj nga Barça Atlètic — u nisën nga aeroporti “El Prat” me destinacion Kobe, në orën 11:00.

Në Japoni, Barça do të përballë Vissel Kobe-n më 27 korrik (ora 12:00), ashtu siç ishte planifikuar fillimisht.

Më pas, skuadra do të luajë dy miqësore të tjera në Korenë e Jugut kundër Seoul FC (31 korrik) dhe Daegu FC (4 gusht).

Portieri dhe kapiteni Marc-André ter Stegen do të mungojë, pasi do t’i nënshtrohet një operacioni në shpinë, përveç çështjes së tensionuar që ka me klubin.

Po ashtu, nuk udhëtojnë as Oriol Romeu dhe Pau Víctor, të cilët presin të vendosin të ardhmen e tyre larg “Spotify Camp Nou”.



Read it all at Bota Sot