Forcat ruse po bëjnë presion të madh për të rrethuar qytetin me rëndësi strategjike të Ukrainës lindore, Pokrovsk.
Ato kanë pushtuar tashmë disa fshatra në jug dhe në lindje të tij, dhe mbi 100.000 ushtarë po përpiqen të përparojnë më tej në zonë, sipas Kievit.
Pse është i rëndësishëm Pokrovsku?
Pokrovsku është një qendër rrugore dhe hekurudhore në rajonin lindor të Donjeckut të Ukrainës, i cili para luftës kishte një popullsi prej rreth 60.000 banorësh.
Shumica e njerëzve tani janë larguar; të gjithë fëmijët janë evakuuar dhe, sipas kreut të administratës ushtarake të qytetit, Serhii Dobriak, zona ka mbetur me më pak se 1.500 banorë.
Ajo shtrihet në një rrugë të rëndësishme, e cila është përdorur nga ushtria ukrainase për të furnizuar forcat në pjesë të tjera lindore, të cilat, prej kohësh, janë përfshirë në luftime të ashpra.
Miniera e vetme në Ukrainë që prodhon qymyr metalurgjik - i përdorur në industrinë dikur të fuqishme të çelikut - gjendet rreth 10 kilometra në perëndim të Pokrovskut.
Kompania ukrainase e çelikut, Metinvest, njoftoi në mes të janarit se ka pezulluar operacionet e minierës.
Që nga viti 2014, Pokrovsku ka qenë edhe vendndodhje e një universiteti të rëndësishëm teknik - më i madhi dhe më i vjetri i këtij lloji në një rajon më të gjerë.
Universiteti, tani i braktisur, është dëmtuar nga bombardimet.
Pse është i rëndësishëm për Rusinë?
Moska thotë se e ka aneksuar rajonin lindor Donjeck të Ukrainës dhe se kontrollon mbi 70% të territorit të kësaj zone.
Kievi dhe shumica e vendeve perëndimore e kundërshtojnë marrjen e këtij territori nga Rusia, duke e cilësuar si një grabitje të paligjshme të tokës.
Nëse forcat ruse arrijnë ta marrin nën kontroll Pokrovskun - që mediat ruse e quajnë “portë drejt Donjeckut” - si dhe Kostiantinivkën në verilindje të tij, të cilën po ashtu po përpiqen ta rrethojnë, atëherë Moska do të fitonte një pikënisje strategjike për të avancuar drejt veriut, në drejtim të dy qyteteve më të mëdha që ende kontrollohen nga Ukraina në rajonin e Donjeckut: Kramatorsk dhe Slloviansk.
Marrja e kontrollit mbi Pokrovskun do t’i mundësonte Moskës t’i dëmtonte edhe më tej linjat e furnizimit të Ukrainës përgjatë frontit lindor dhe ta intensifikonte ofensivën e saj për të pushtuar Çasiv Jarin - një qytet që ndodhet në një terren më të lartë dhe që ofron mundësi për kontroll më të gjerë të zonës përreth.
Pushtimi i këtij qyteti do t’i jepte gjithashtu Rusisë më shumë mundësi për të sulmuar rajonin Dnjipropetrovsk të Ukrainës në perëndim - një zonë që Moska nuk e ka shpallur si pjesë të territorit të aneksuar, por për të cilën pretendon se tashmë ka vendosur një prani të vogël ushtarake.
Çfarë po bën Ukraina për ta mbrojtur Pokrovskun?
Komandanti i lartë i ushtrisë ukrainase, Oleksandr Syrskyi - i cili në maj kishte deklaruar se Ukraina kishte ndalur ofensivën e gjatë dhe të ashpër ruse drejt Pokrovskut dhe madje kishte rimarrë disa zona - tha së voni se forcat e tij po qëndrojnë të palëkundura.
Zyrtarët ukrainas thonë se Rusia i ka goditur pa ndërprerje forcat e tyre me artileri, bomba dhe dronë, ndërsa ka dërguar grupe të vogla luftëtarësh për të fituar terren, e jo njësi të mëdha këmbësorie apo mjete të blinduara.
Rusia ka 111.000 ushtarë në zonën e Pokrovskut, ka vlerësuar Syrskyi.
Presidenti Volodymyr Zelensky ka bërë disa ndryshime në nivel të lartë të personelit ushtarak gjatë mbrojtjes së qytetit.
Ukraina thotë se Moska ka pësuar humbje të mëdha pas përpjekjeve të saj intensive për të depërtuar.
Nga ana tjetër, është Moska ajo që pretendon se forcat ukrainase po pësojnë humbje të mëdha.
Asnjëra palë nuk jep shifra të plota për viktimat.
Si duket Pokrovsku sot?
Autoritetet ukrainase kanë bërë përpjekje intensive për t’i bindur banorët e mbetur në qytet - kryesisht të moshuarit dhe të sëmurët - që të evakuohen.
Edhe pse flamuri ukrainas blu e verdhë vazhdon të valëvitet, qyteti është vetëm një hije e asaj që ka qenë dikur: pa energji elektrike, gaz, ngrohje apo ujë të rrjedhshëm./REL