Një zyrtar policor dyshohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare në Pikëkalimin Kufitar në Vërmicë
Siç raporton Gazeta Sinjali dyshohet se ai është Ylber Kastrati. Sipas njoftimit zyrtar të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), hetimet ndaj tij kanë nisur mbi dyshimet se ka kryer veprën penale të “Keqpërdorimit të autoritetit zyrtar”, duke verifikuar në mënyrë të paautorizuar në sistemin e Policisë së Kosovës të dhënat e një qytetari – shtetas i Republikës së Kosovës – i cili nuk ka qenë fare prezent në pikëkalimin kufitar.
Dyshohet se qëllimi i këtij veprimi ka qenë për të kontrolluar nëse qytetari në fjalë figuron në kërkim apo nën ndonjë masë tjetër, në mungesë të ndonjë kërkese zyrtare apo baze ligjore.
Pas konsultimeve me Prokurorinë Themelore në Prizren, është marrë vendim që rasti të ndiqet në procedurë të rregullt, ndërkohë që IPK ka rekomanduar suspendimin e menjëhershëm të zyrtarit të përfshirë.
Lexo edhe:
Hetuesit e IPK-së paralajmërojnë veprime të mëtejme hetimore për të ndriçuar plotësisht këtë çështje, që ngre shqetësime serioze për abuzim me të dhënat personale dhe shfrytëzim të resurseve shtetërore për interesa të dyshimta.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.