Jemi në kulmin e merkatos dhe klubet europiane vazhdojnë të punojnë për të përforcuar organikën në prag të sezonit të ri. Disa operacione janë mbyllur me sukses, ndërsa shumë tratativa vazhdojnë ende në këto ditë të nxehta vere.
Po kush ka shpenzuar më shumë deri në këto momente në tregun e transferimeve të lojtarëve. Liverpuli është në vendin e parë në këtë renditje të veçantë.
“Të kuqtë” kanë shpenzuar më shumë se 300 milionë euro deri më tani. Florian Wirtz, Hugo Ekitiké, Milos Kerkez dhe Jeremie Frimpong janë bashkuar me skuadrën angleze në këtë sesion të merkatos.
Në vendin e dytë vjen Chelsea me 243 milionë euro të shpenzuar në merkato, ndërsa në shkallën më të ulët të podiumit qëndron Reali i Madridit me 167.5 milionë.
Dominojnë klubet angleze në “top 10” të kësaj renditjeje me Arsenalin dhe Manchester United që zënë respektivisht vendin e 4-t dhe të 5-të, ndërsa Manchester City dhe Tottenham renditen në vendin e 7-të dhe të 8-të. Juventusi është skuadra italiane që ka shpenzuar më shumë deri më tani, 118.5 milionë euro.
Klubet që kanë shpenzuar më shumë deri më tani në merkaton e verës:
Liverpool: 308.68 milionë
Chelsea: 243.77 milionë
Real Madrid: 167.5 milionë
Arsenal: 157.8 milionë
Manchester United: 153.2 milionë
Atletico Madrid: 153 milionë
Manchester City: 145.7 milionë
Tottenham: 140.6 milionë
Juventus: 118.5 milionë
Sunderland: 115.9 milionë