Federico Gatti ka zyrtarizuar rinovimin e kontratës

- Bota Sot

Federico Gatti ka zyrtarizuar rinovimin e kontratës

Federico Gatti ka zyrtarizuar rinovimin e kontratës me Juventusin deri në vitin 2030, duke konfirmuar besimin afatgjatë që klubi ka ndaj tij dhe rolin që pritet të ketë në projektin e ri të “Zonjës së Vjetër”.

Përmes një postimi në Instagram, mbrojtësi italian shprehu ndjenjat e tij pas këtij lajmi të rëndësishëm: “Është e vështirë ta shpjegoj me fjalë sa shumë do të thotë për mua të jem pjesë e këtij klubi.

Do ta tregoj në fushë, duke nderuar dhe mbrojtur këto ngjyra. 2030”.

Gatti, i ardhur nga Frosinone në vitin 2022, ka njohur rritje graduale në Torino, duke kaluar nga një rol mbështetës në titullar të rëndësishëm, veçanërisht nën drejtimin e Massimiliano Allegrit.

Sezonin 2024-2025 e startoi si pjesë e pandashme e mbrojtjes nën drejtimin e Thiago Motta, i cili e vlerësonte shumë për grintën, përqendrimin dhe përkushtimin e tij. Në sezonin e fundit ai zhvilloi 36 ndeshje në të gjitha kompeticionet, duke shënuar edhe 3 gola, një nga të cilët shumë i rëndësishëm në derbin ndaj Torinos.

Ky rinovim i gjatë është sinjal i qartë se Juventusi dëshiron të ndërtojë një bërthamë solide me lojtarë italianë. Gatti është një nga emrat kyç për të ardhmen bardhezi.



Read it all at Bota Sot