Lewandowski lë hapur rinovimin me Barcelonën

- Bota Sot

Lewandowski lë hapur rinovimin me Barcelonën

Robert Lewandowski po nis sezonin e tij të katërt me fanellën e Barcelonës. Që prej mbërritjes në vitin 2022, gjatë turneut veror në Shtetet e Bashkuara, polaku ka fituar dy tituj kampionë në La Liga, një trofe “Pichichi” si golashënuesi më i mirë i kampionatit spanjoll, si dhe Superkupën e Spanjës, ndër trofetë më të rëndësishëm në epokën post-Messi.

Sulmuesi ishte protagonisti i parë që dha një intervistë për mediat ndërkombëtare të pranishme në Japoni, ku Barça po zhvillon fazën përgatitore.

Në një deklaratë nga hoteli i skuadrës në Kobe, ku katalanasit do të luajnë ndeshjen e tyre të parë miqësore të parasezonit këtë të diel, Lewandowski tha: “Kemi ardhur për të luajtur tri ndeshje, por qëllimi është të stërvitemi fort dhe të përgatitemi sa më mirë për sezonin e ri”.

Edhe pse nuk premton një numër të caktuar golash, polaku theksoi: “Më e rëndësishme është se ku duam të arrijmë si skuadër dhe sa trofe duam të fitojmë, jo vetëm golat e mi. Natyrisht, shpresoj që golat e mi të jenë të rëndësishëm për ekipin. Mendoj se mund ta përmirësojmë atë që bëmë sezonin e kaluar”.

Lewandowski foli edhe për Marcus Rashford, blerjen e re të bujshme të verës, që i është bashkuar Barçës nga Manchester United: “Është një lojtar me talent të madh, në formë të mirë, mund të na ndihmojë në pozicione të ndryshme. Polivalenca e tij është shumë e vlefshme për ekipin”.

Në lidhje me Lamine Yamal, talenti i madh i rritur në “La Masia”, Lewandowski u shpreh me bindje: “Ky sezon mund të jetë edhe më i mirë se i fundit. Çdo vit do të rritet, tani nuk është më një fëmijë”.

Kujtojmë se Yamal ka mbushur 18 vjeç në korrik dhe ka lënë mbresa të thella si me Barcelonën, ashtu edhe me kombëtaren spanjolle në “Euro 2024”, ku ishte një nga më të mirët e turneut.

I pyetur për ambiciet në Champions League, Lewandowski u tregua realist: “Për ta fituar Champions-in duhen shumë gjëra, përfshirë shmangien e dëmtimeve. Jemi më të fortë se sezonin e kaluar. Sezoni i parë me Hansi Flick ishte një fillim, tani e dimë

Ky është sezoni i fundit sipas kontratës aktuale të Lewandowskit me Barcelonën, por ai lë gjithçka të hapur për një rinovim të mundshëm: “Nuk e di nëse do të jetë sezoni im i fundit në Barcelonë. Nuk e kam në mendje këtë gjë tani. Jam i qetë, e rëndësishme për mua është sezoni i ri”.

Në moshën 35-vjeçare, Robert Lewandowski mbetet një lider brenda dhe jashtë fushës. Në Barcelonën e Flick, ku Rashford dhe Lamine Yamal do jenë të rëndësishëm në fazën ofensive, eksperienca e tij pritet të jetë vendimtare.



Read it all at Bota Sot