Shtëpia përkujtimore e Konferencës së Bunjajt në gjendje të mjerueshme

- Bota Sot

Shtëpia përkujtimore e Konferencës së Bunjajt në gjendje të mjerueshme

Një nga objektet me rëndësi të veçantë historike kombëtare është Kulla e Sali Manit, bajraktarit të Krasniqes. Gjatë Luftës Nacionalçlirimtare në Luftën e Dytë Botërore, kjo kullë shërbeu si bazë e njësive partizane të Kosovës. Në fund të dhjetorit 1943 dhe në fillim të janarit 1944, ajo u shndërrua në vend mbajtjeje të një Kuvendi Popullor, ku u morën vendime të rëndësishme për të ardhmen politike dhe shoqërore të Kosovës pas Luftës.

Pikërisht aty u hartua dhe miratua Rezoluta e Bunjajt, e cila përfaqëson një dokument historik me peshë të veçantë. Në filim të sajë shkruan: “Kosova e Rrafshi i Dukagjinit asht një krahinë e banueme në shumicë nga populli shqiptar, i cili, si gjithmonë edhe sot dëshiron me u bashkue me Shqipni..." Kjo rezolutë është marrë në konsiderim edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës, si një nga bazat historike të së drejtës për shtetësinë e Kosovës.

Para shumë vitesh, kulla u shndërrua në muze për të ruajtur kujtesën e kësaj ngjarjeje të rëndësishme kombëtare. Por sot, kjo shtëpi përkujtimore gjendet në një gjendje të mjerueshme: dera kryesore e nxënë me mbeturina dhe e mbyllur, shkallët e rrënuara, e lënë plotësisht në mëshirë të kohës, e dëmtuar, pa ciceron, e mbyllur, pa mirëmbajtje dhe e harruar nga institucionet përkatëse të të dyja shteteve tona — Kosovës dhe Shqipërisë. Para disa ditësh, gjatë një vizite atje, pata rastin të jem dëshmitar i interesimit të disa turistëve të huaj.

Fatkeqësisht, ata u larguan të zhgënjyer nga gjendja e objektit dhe mungesa e çdo informacioni apo qasjeje për publikun. Le të shërbejë ky shkrim si një thirrje publike për institucionet e të dyja shteteve, për qeveritë dhe ministritë përkatëse, që të ndërmarrin veprimet e nevojshme për ruajtjen, restaurimin dhe funksionalizimin e plotë të këtij monumenti me vlerë të pazëvendësueshme historike. Ky vend nuk është vetëm një kullë — është një dëshmi e gjallë e vullnetit politik e kombëtar për liri dhe shtetësi.



Read it all at Bota Sot