Dinamo u rikthye në Europë me një fitore në Andorrë.
Një ndeshje e madhe me përmbysje që solli gëzim te blutë.
Gjithsesi, kryeqytetasit duhet të punojnë shumë. “Thembra e Akilit” bluve, mbetet mbrojtja dhe ose mënyra sesi mbron skuadra në lojë apo në situata goditje standarde.
Dinamo u ndëshkua shpjet nga një gol në pjesën e parë.
Një top i gjatë në shtyllën e dytë, ku lojtari mik jo vetëm që ishte harruar, por gafa më e madhe është që në momentin e goditjes së topit.
Të 11 lojtarët blu janë në një krah, ndërsa kundërshtari vetëm në krahun tjetër.
E dyta, një gol në shtyllën e dytë është shumë naiv, duke pasur parasysh eksperiencën e lojtarëve që ka Dinamo. Si mund të spostohet gjithë skuadra në një krah dhe të harrojë topin? Si ka mundësi që asnjë nga lojtarët nuk e llogariti trajektoren dhe nuk ndërhyri?
Daja duhet të punojë shumë për këto situata, sepse ekipet e vogla i gjuajnë këto raste për të shënuar. Një sëmundje e shumë skuadrave tona që neglizhojnë këto situata dhe në fund ndëshkohen, duke dalë nga Europa.
Vetë trajneri Ilir Daja e parashikoi se sfida e dytë nuk do të jetë luks dhe kualifikimi nuk është në “xhep”.
“Kemi përballë ekip që nuk duhet nënvlerësuar, sepse dinë të luajnë mirë futboll. Në manovrën që kishin ishin të vështirë për t’i bërë presing lart. Në shtëpinë tonë, edhe e njohim kundërshtarin, duke respektuar 90 minutat e dyta, besoj që kemi nevojë të përmirësohemi. Ardhjet e reja kanë nevojë të përshtaten.
Do të luftojmë në të dyja planet, për merkaton, qoftë për këtë kompeticion dhe kampionati në Shqipëri. Kemi disa gjëra për të përmirësuar. Fillimisht ritmi i lojës sepse duhet në Europë të kesh ritëm tjetër loje. Është rezultat në favorin tonë, por nuk ka mbaruar asgjë.
Kemi pasur edhe histori, pavarësisht se personalisht i kam pasur shumë pozitive, por kemi pasur edhe histori të veçantë që edhe me ekip nga Andorra jemi eliminuar me autogol. Shpresoj të mos përsëritet, do të punojmë fort për të parë çfarë duhet të përmirësojmë në aspektin e lojës dhe për të startuar me formacion sa më të mirë”, tha ai.
Gjithsesi, të enjten, Dinamo do të provojë kalimin e një turi tjetër.