Atletico Madridi shumë afër transferimit të nëntë këtë afat kalimtar veror

- Bota Sot

Atletico Madridi shumë afër transferimit të nëntë këtë afat kalimtar veror

Afati kalimtar veror për Atletico Madrid mund të përfshijë edhe një lëvizje të fundit para se të nisë sezoni 2025/2026. 

Diego Simeone ka marrë në dispozicion një buxhet të madh nga drejtuesit e klubit, ndërsa synon të ndërtojë një skuadër që mund të rivalizojë seriozisht Barcelonënn dhe Real Madridin në muajt në vijim. 

Sezonin e kaluar, ‘Los Rojiblancos’ e përfunduan në vendin e tretë në La Liga, për herë të tetë që përfundojnë pas dyshes së El Clasicos nën drejtimin e Simeones dhe kapiteni Koke ka bërë thirrje që skuadra e rinovuar të ndryshojë këtë situatë në sezonin 2026. 

Deri tani, Simeone ka shpenzuar rreth 155 milionë euro për tetë afrime këtë verë, ndërsa vetëm 16 milionë euro janë arkëtuar nga shitjet, pas largimeve të Rodrigo Riquelme dhe Angel Correa. 

Në mbrojtje, janë afruar Marc Pubill dhe David Hancko, ndërsa mesfusha është përforcuar me Alex Baena, Thiago Almada dhe Johnny Cardoso, për një kosto të përbashkët prej 93 milionë eurosh. 

Nga Atalanta ka ardhur edhe mbrojtësi italian Matteo Ruggeri, ndërsa Clement Lenglet dhe Juan Musso, që më parë ishin të huazuar, janë blerë përfundimisht. 

Simeone zakonisht nuk njihet për shpenzime të mëdha në afatin kalimtar, por këtë verë ka hyrë në një ritëm të fuqishëm. Lëvizja e radhës pritet të jetë Enzo Millot nga Stuttgart, i cili mund të jetë transferimi i nëntë për këtë verë. 

Sipas raportimeve të Mundo Deportivo, klubi gjerman i ka dhënë leje Millot të mungojë në ndeshjen miqësore ndaj Celta Vigos për të përfunduar detajet e transferimit drejt Madridit. 

Atletico Madrid pritet të paguajë klauzolën e lirimit prej 20 milionë eurosh për 23-vjeçarin, i cili shënoi 12 gola në të gjitha garat sezonin e kaluar, dy herë më shumë se çdo sezon të mëparshëm në karrierën e tij.



Read it all at Bota Sot