Legjenda e Barcelonës paralajmëron Rashfordin: Në fillim do ta nisësh nga stoli

- Bota Sot

Legjenda e Barcelonës paralajmëron Rashfordin: Në fillim do ta nisësh nga stoli

Legjenda braziliane Rivaldo, ka folur me tone pozitive për transferimin e Marcus Rashford te Barcelona, duke theksuar potencialin e sulmuesit për të bërë një ndikim të madh në klubin katalanas.

“Ka qenë një nënshkrim i shkëlqyer. Rashford ka të gjitha cilësitë për t’u dalluar, sidomos me trajnerin e madh që do ketë pranë vetes, i cili do ta ndihmojë të zhvillohet edhe më tej”, deklaroi Rivaldo.

Ai beson gjithashtu se ndërrimi i ligës mund të jetë një hap pozitiv për karrierën e anglezit.

“Duke qenë në një kampionat ndryshe nga ai anglez, mendoj se do të ketë më shumë hapësira për të shfaqur futbollin e tij dhe për të arritur gjëra të mëdha”.

Megjithatë, legjenda e futbollit e paralajmëroi opinionin që të mos presë menjëherë Rashfordin në formacionin titullar.

“Barcelona pati një sezon të fortë vitin e kaluar, ndaj është normale që Rashford ta nisë nga stoli. Por jam i bindur që me kalimin e kohës do të përshtatet me stilin e trajnerit dhe dinamiken e ekipit, dhe do të fitojë vendin e tij”.

I pyetur nëse Rashford mund ta zërë vendin e titullarit, Rivaldo përmendi Raphinhën si pengesën kryesore.

“Për mua, Raphinha është një nga pesë lojtarët më të mirë në botë për momentin. Prandaj mendoj se do të jetë shumë e vështirë që Rashford ta nxjerrë atë nga formacioni menjëherë. Raphinha është i pazëvendësueshëm te Barcelona”, përfundoi ai.



Read it all at Bota Sot