Portieri kosovar Diant Ramaj nuk do të luajë për Borussia Dortmundin këtë sezon, por gjithsesi do të jetë pjesë e Bundesligës.
Sot (e hënë) ai është huazuar për një vit te skuadra e Heidenheim, pas lëndimit të portierit Frank Feller.
23-vjeçari, i cili ka kontratë me Dortmundin deri në qershor 2029, e njeh mirë ambientin te Heidenheim, pasi kishte qenë pjesë e klubit më parë në periudhën 2018/2021.
“Jemi të kënaqur që Diant Ramaj, pavarësisht interesimit të madh nga klube elitare evropiane, vendosi të rikthehet te ne”.
“E njohim që nga koha kur ishte adoleshent, ka ushtruar me ekipin e parë në moshën 17-vjeçare dhe ka pasur një zhvillim të jashtëzakonshëm, të cilin më pas e vazhdoi edhe në skenën ndërkombëtare”, deklaroi Holger Sanwald, kreu i bordit drejtues të Heidenheim.
Ai gjithashtu konfirmoi se Ramaj do të jetë portieri i parë i skuadrës.
Pas aventurës së parë te Heidenheim, Ramaj luajti për Eintracht Frankfurt dhe Ajax, ndërsa në fillim të këtij viti u transferua te Borussia Dortmund.
Që pas nënshkrimit, ai u huazua menjëherë në Copenhagen, ku ndihmoi ekipin të fitojë kampionatin dhe Kupën e Danimarkës.
Në arenën ndërkombëtare, Ramaj ka përfaqësuar Gjermaninë në grupmoshat U18, U19 dhe U20, dhe synon që në të ardhmen të debutojë edhe me kombëtaren A.