Milani është në një fazë kyçe të mer katos së verës dhe, ndonëse disa çështje mbeten të ndërlikuara, klubi kuqezi po përpiqet të përmbyllë disa prej operacioneve më të rëndësishme të kësaj vere. Në qendër të vëmendjes janë emrat Ardon Jashari, Dushan Vlahoviç dhe Guela Due, ndërsa largimet gjithashtu po luajnë një rol kyç në bilancin financiar të klubit.
JASHARI- Negociatat për Ardon Jasharin vazhdojnë, me Milanin që ka rritur ofertën në 33.5 milionë euro (bazë fikse), plus 5 milionë në formë bonusesh, dy prej të cilave të lidhura me kualifikimin në Champions gjatë pesë viteve të ardhshme. Megjithatë, Klub Bryzh nuk ka dhënë ende një përgjigje zyrtare, duke zvarritur një tratativë që po merr përmasa të tejzgjatura. Nga Belgjika raportohen shenja nervozizmi, ndërsa klubi po tenton, disi në mënyrë të ngathët, të shesë Jasharin në Premier Ligë. Por futbollisti e ka bërë të qartë qëllimin e tij, dëshiron vetëm Milanin.
VLAHOVIÇ- Një tjetër emër i përfolur është Dushan Vlahoviç. Sulmuesi serb nuk është prioriteti kryesor për repartin ofensiv, por konsiderohet një mundësi e vlefshme. Situata është komplekse, Juventusi dëshiron ta largojë për shkak të pagës prej 12 milionë eurosh, ndërsa Milani nuk është i gatshëm të paguajë më shumë se 10 milionë për kartonin dhe as të kalojë tavanin e 7 milionëve për rrogën. Kjo do të kërkonte një sakrificë të dyfishtë, si nga Juve ashtu edhe nga lojtari vetë. Për momentin, palët nuk kanë arritur një pikë takimi, por negociatat do të vijojnë pa ngutje. DUE- Një tjetër pistë që mbetet “e ngrohtë” është ajo për Guela Due, i cili shihet si një përforcim i mundshëm për krahun e djathtë të mbrojtjes. Igli Tare ka përmirësuar ofertën në 23 milionë euro, por Strasburgu kërkon rreth 30 milionë, një shifër që Milani nuk është i gatshëm ta përmbushë. Gjithsesi, largimet e pritshme mund të sjellin të ardhura që do të ndihmojnë në afrim.
LARGIMET- Në kampin kuqezi, largimet janë po aq të rëndësishme sa afrimet. Emerson Rojal është zyrtarizuar si lojtar i Flamengos, Kolombo pritet të firmosë me Xhenoan, ndërsa Ismael Benaser është pranë transferimit në Arabinë Saudite, edhe pse Marseja po tenton një rikthim në garë. Adli dhe Çukueze janë dy emra që klubi kërkon t’i shesë për të sjellë fonde të reja. Pritet që këto largime të çlirojnë buxhetin dhe të lejojnë lëvizje më të lira në merkato. Milani ka ende shumë për të bërë në këtë merkato. Midis negociatave të ndërlikuara, vullnetit të lojtarëve dhe kufizimeve buxhetore, klubi është në një garë kundër kohës për të formuar një skuadër konkurruese, por pa tejkaluar kufijtë financiarë. Me Jasharin që po pret, Vlahoviçin që mbetet një mundësi dhe Due, java në vazhdim pritet vendimtare.