Barcelona vazhdon të presë që Frenkie de Jong (28 vjeç) t’i japë “dritën jeshile” për të nisur negociatat e rinovimit të kontratës, përmes një agjenti të ri ose avokati, sapo ai ta ndërpresë marrëveshjen me përfaqësuesin aktual Ali Dursun, me të cilin ka pasur mosmarrëveshje prej disa muajsh.
Deri sa të zgjidhet kjo çështje, holandezi nuk mund ta informojë klubin se kush është përfaqësuesi ligjor me të cilin mund të negociohet vazhdimësia e tij.
Aktualisht, kontrata e Frenkie skadon në vitin 2026. Pas gjysmës së dytë të shkëlqyer të sezonit të kaluar, ku fitoi vendin si titullar në sytë e Hansi Flick, klubi dëshiron të rinovojë me holandezin. Edhe vetë lojtari ka shprehur dëshirën për të vazhduar më gjatë me fanellën blaugrana.
Sipas asaj që ka mësuar “Mundo Deportivo” nga burime pranë klubit katalanas, oferta për De Jong është zgjatje e kontratës për dy vite të tjera, përveç asaj që tashmë ka të vlefshme. Kjo do të thotë se Barça dëshiron ta mbajë deri në vitin 2028, me mundësinë për ta shtuar edhe një vit tjetër shtesë, të kushtëzuar nga paraqitjet. Ky skenar do ta zgjaste qëndrimin e tij në klubin katalanas deri në vitin 2029.
Me këtë ofertë, Frenkie do ta përfundonte kontratën në moshën 31-vjeçare dhe nëse aktivizohet edhe viti opsional, do të qëndronte te Barça deri në moshën 32 vjeç. Duke marrë parasysh se firmosi me klubin katalanas në vitin 2019, nëse nënshkruan këtë kontratë të re dhe e çon deri në fund, mund të arrijë të luajë 10 sezone si lojtar i Barcelonës.
Aktualisht, De Jong është një nga kapitenët e skuadrës dhe një nga lojtarët më të rëndësishëm për Hansi Flick, pavarësisht konkurrencës së madhe në mesfushë. Informacioni nga brenda klubit është i qartë: Frenkie dëshiron të qëndrojë dhe dëshira e tij është e sinqertë.