Barcelona ka menduar një risi për sezonin e ardhshëm: një fanellë e katërt që do të përdoret ekskluzivisht në përballjet me Real Madridin.
Pas zërave që qarkullonin prej javësh, tashmë ka ardhur edhe konfirmimi përmes imazheve të publikuara nga portali i njohur ‘Footy Headlines’.
Në pamje të parë, dizajni mund të duket i pazakontë dhe i largët nga tradita.
Fanella vjen me vija vertikale në formë zig-zage, ndërsa ngjyrat, e kuqe, blu dhe e verdhë, nuk janë zgjedhur rastësisht.
Ato përfaqësojnë një kujtim të paharrueshëm për tifozët ‘blaugrana’: fitoren 0-3 ndaj Real Madridit më 19 nëntor 2005, kur Ronaldinho shënoi dy gola mahnitës dhe mori një ovacion të rrallë nga publiku i “Santiago Bernabeut”.
Ky është një nderim për atë mbrëmje magjike, që mbeti në histori si një nga shfaqjet më madhështore të Barcelonës në “El Clasico”.
Por dizajni sjell edhe një tjetër risi të guximshme. Në vitet e fundit, fanella e katërt e klubit katalanas ka qenë zakonisht në ngjyrat e flamurit tradicional katalanas, me të verdhë dhe vija të kuqe.
Këtë herë, duket se klubi ka vendosur të përqendrohet më shumë te lavdia sportive sesa te simbolika politike.
Megjithatë, për sa kohë që mungon një komunikatë zyrtare nga Barcelona, nuk ka ende një konfirmim final nëse kjo fanellë do të përdoret zyrtarisht.
Por gjithçka tregon se fanella e re është gati për t’u bërë simbol i një tjetër kapitulli historik në “El Clasico”.