Slot ka alternativa për portën

- Bota Sot

Slot ka alternativa për portën

Faza përgatitore e Liverpoolit në Japoni ka marrë një tjetër goditje.

Portieri titullar, Alisson Becker, është bërë lojtari i tretë që largohet nga grumbullimi para përfundimit të turit, këtë herë për arsye personale, siç konfirmohet nga klubi.

Sipas “The Athletic”, Alisson ka marrë lejen e klubit për të udhëtuar drejt Anglisë dhe nuk do të jetë i pranishëm në miqësoren e fundit ndaj Yokohama F. Marinos, që do të zhvillohet të mërkurën, më 30 korrik.

Portieri brazilian mungoi edhe në stërvitjen e fundit, të zhvilluar në kushte të vështira për shkak të të nxehtit ekstrem dhe arsyet e sakta të largimit të tij ende nuk janë bërë publike.

Para Alisson-it, edhe Luis Díaz dhe Joe Gomez kishin braktisur përgatitjet në Japoni. Kolumbiani Díaz ka udhëtuar drejt Gjermanisë për të përfunduar transferimin e tij te Bayerni, duke mbyllur një aventurë ku kohët e fundit nuk e kishte më vendin e garantuar në formacionin titullar të Liverpoolit.

Ndërkohë, mbrojtësi Joe Gomez është larguar pas një dëmtimi serioz në tendinën e Akilit, që pritet ta mbajë jashtë fushave për një kohë të gjatë.

Pavarësisht largimit të Alissonit, trajneri Arne Slot ka disa alternativa për portën. Liverpooli ka siguruar këtë verë transferimin e Giorgi Mamardashvilit, ndërsa në dispozicion janë edhe Freddie Woodman, Armin Pecsi dhe Kornel Misciur.

Programi i ngjeshur i Liverpoolit

Pas miqësores me Yokohama, skuadra do të rikthehet në Angli dhe Alisson pritet t’i bashkohet sërish grupit për sfidën ndaj Athletic Bilbaos, në “Anfield”, më 4 gusht.

Pak ditë më vonë, më 10 gusht, Liverpooli do të luajë për Superkupën e Anglisë ndaj Crystal Palace, fitues i FA Cup. Më pas, sezoni i ri në Premier League nis më 15 gusht, me një përballje në shtëpi ndaj Bournemouthit.

Liverpooli po kalon një verë të trazuar, mes largimesh, afrimesh dhe një përpjekjeje për të ndërtuar një skuadër të qëndrueshme nën drejtimin e Arne Slot.



Read it all at Bota Sot