Në Novi Pazar po vazhdon një situatë kaotike në Universitet, ku tensioni është përshkallëzuar që nga nata midis të hënës dhe të martës. Persona të maskuar përdorën dhunë për të larguar studentët nga ndërtesa e universitetit.
Gjatë ditës, studentët janë rikthyer në ambientet e universitetit, pasi policia, e cila fillimisht kishte mbrojtur sulmuesit, është tërhequr në ndërkohë.
Pas kësaj kanë pasuar arrestimet e para, dhe për këtë çështje është deklaruar edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Dua të them se në Novi Pazar kanë filluar arrestimet, sapo janë arrestuar katër persona. Katër prej tyre që kanë ushtruar dhunë ndaj policisë së Serbisë dhe ndaj bashkëqytetarëve të tyre, dhe arrestimet do të vazhdojnë,” tha ai gjatë një lidhjeje telefonike për televizionin proqeveritar Informer, raporton N1.
Pas një retorike të zakonshme dhe përpjekjeve për të manipuluar opinionin publik, Vuçiq u drejtua me një mesazh për serbët në Novi Pazar, të cilët, sipas tij, ndihen të frikësuar nga zhvillimet e fundit. Ai i ftoi ata të qëndrojnë të qetë, duke theksuar se shteti është më i fortë se çdo grup dhunuesish.
Më pas, ai bëri një sulm disi të papritur ndaj Rasim Lajiqit, kryetarit të klubit të futbollit Partizani.
Gjatë intervistës iu bë pyetja pse Rasim Ljajiq – i cili, ndonëse nuk është funksionar shtetëror, por është kryetar i Partizanit dhe udhëheqës i partisë që ka shumicën në Novi Pazar – nuk ka dërguar mesazhe paqeje, Vuçiq kishte një përgjigje të gatshme.
“Si nuk është funksionar shtetëror? Të jesh president i Partizanit është një nga dhjetë funksionet më të rëndësishme në vend. Nuk ka ndonjë filozofi të madhe këtu – këta njerëz janë pjesë e qeverisë, këta njerëz kanë një nga ministritë më të rëndësishme, këta njerëz drejtojnë agjenci të rëndësishme… mos u merrni me ato histori,” tha Vuçiq.
Ndryshe, Lajiq prej vitesh nuk ka asnjë funksion në Qeverinë e Serbisë.