Popullsia në moshë pune pritet të tkurret me një të pestën

- Bota Sot

Popullsia në moshë pune pritet të tkurret me një të pestën

Popullsia në moshë pune e Italisë pritet të tkurret me më shumë se një të pestën gjatë 25 viteve të ardhshme, tha sot agjencia kombëtare e statistikave “Istat”, duke theksuar sfidat e rënda demografike të vendit, sipas “Reuters”.

Italia po përballet me një rënie të nivelit të lindjeve dhe një popullsi në tkurrje.

Vitin e kaluar lindjet e reja ranë në një nivel rekord prej rreth 370 000 – ndërsa popullsia ra me 37 000 (në 58,93 milionë), duke ndjekur një trend 10-vjeçar.

Në parashikimin e fundit demografik, “Istat” raportoi se numri i banorëve në grupmoshën 15-64 vjeç do të binte nga 37,4 milionë në vitin 2024 në 29,7 milionë në vitin 2050 – ndërsa në popullsinë totale rezidente do të kishte një rënie në 54,3% nga 63,5%.

Në të njëjtën periudhë, përqindja e banorëve mbi moshën 65 vjeç parashikohet të rritet në 34,6% të totalit krahasuar me 24,3% që është aktualisht – dhe përqindja e fëmijëve deri në moshën 14 vjeç do të binte në 11,2% nga 12,2%.

Shkalla e lindjeve në Itali, e cila është në rënie të vazhdueshme, konsiderohet një emergjencë kombëtare.

Por, pavarësisht premtimeve të kryeministres Giorgia Meloni dhe paraardhësve të saj për të trajtuar problemet, askush deri më tani nuk ka qenë në gjendje ta ndalë rënien.

“Istat” vlerësoi se popullsia rezidente e Italisë do të binte në 54,7 milionë deri në vitin 2050.

Në një raport të vitit të kaluar, “Scope Ratings” tha se demografia e Italisë ishte “më e keqja” në Evropë për sa i përket potencialit të rritjes ekonomike midis viteve 2023 dhe 2040, me një popullsi që po plaket me shpejtësi dhe që përbën një kërcënim për financat publike të tendosura.



Read it all at Bota Sot