Ditët e ardhshme pritet të jenë vendimtare për të ardhmen e Ademola Lukman, një nga objektivat më të mëdhenj të Interit në këtë merkato vere.Në një verë të zjarrtë për klubin zikaltër, mes planeve për të forcuar sulmin dhe ruajtur ekuilibrin ekonomik, emri i sulmuesit të Atalantës është kthyer në një qëllim konkret dhe të shprehur hapur nga drejtuesit e Interit.
Takimi i fundit mes administratorit të deleguar të Interit, Bepe Marota, dhe Luka Perkasit, përfaqësues i Atalantës, u zhvillua në ambientet e Ligës së Futbollit në Itali dhe shërbeu për të paraqitur ofertën më të fundit për Lukman. Interi ka vendosur mbi tryezë një propozim prej 43 milionë eurosh, plus 2 milionë të tjera në formë bonusesh, një shifër që tregon seriozitetin e klubit, por që ende mbetet nën kërkesën prej 50 milionë eurosh të vendosur nga Atalanta.
MARRËVESHJA- Sipas burimeve pranë negociatave, ekziston një marrëveshje në parim mes Lukman dhe Atalantës për të lehtësuar largimin e tij nëse vjen një ofertë e kënaqshme. Megjithatë, “bergamaskët” nuk kanë ndërmend të bëjnë lëshime të mëdha. Drejtuesit e Atalantës njihen për çmimet e larta dhe për aftësinë për të mbajtur pozita të forta në tavolinën e negociatave, sidomos në një verë ku klubi ka arkëtuar tashmë shuma të konsiderueshme nga shitja e Retegit dhe nuk është në presion për të shitur.
POZICIONI I INTERIT- Interi, ndërkohë, nuk dëshiron të humbasë kohë. Marota i ka dhënë vetes dhe klubit një afat prej dy ose tre ditësh për të marrë një përgjigje përfundimtare. Nëse Atalanta nuk lëshon dhe marrëveshja për Lukmanin nuk finalizohet, klubi zikaltër është i gatshëm të kalojë tek alternativa të tjera për repartin ofensiv. Trajneri Kivu, i cili do të udhëheqë skuadrën në sezonin e ri, kërkon përforcime që në javët e para të përgatitjeve. Nga ana tjetër, Atalanta duket se po përgatitet për një jetë pa Lukmanin. Sipas raportimeve, ata po ndjekin me interes Federiko Kiezën si pasardhës të mundshëm, por lojtari është gjithashtu në radarët e Napolit, çka mund ta komplikojë edhe më shumë panoramën.
TAKIMI I FUNDIT- Takimi i fundit mes palëve, megjithatë, ka qenë i rëndësishëm. Interi ka dashur të kuptojë nëse ekziston një terren real për marrëveshje dhe sa fleksibël mund të jetë Atalanta në ditët në vijim. Nuk është një situatë “brenda ose jashtë”, por është shumë afër një pike vendimtare. Në fund, vendimi i përket familjes Perkasi. Marota e ka bërë lëvizjen e tij, tani pritet reagimi nga Bergamo.