Neuer, rikthim në moshën 40-vjeçare për Kupën e Botës?!

- Bota Sot

Neuer, rikthim në moshën 40-vjeçare për Kupën e Botës?!

Marc-André ter Stegen ëndërron të jetë portieri titullar i Gjermanisë në Kupën e Botës 2026, që do të zhvillohet pas më pak se një viti në SHBA, Kanada dhe Meksikë. Sidoqoftë, “gardiani” i Barcelonës iu nënshtrua së fundi një ndërhyrjeje kirurgjikale në shpinë për shkak të dhimbjeve në fund të saj, që do ta mbajë larg fushave për disa muaj. Klubi katalanas është siguruar duke i rinovuar kontratën Szczesny dhe blerë portierin 24-vjeçar Joan Garcia nga Espanyol. Tashmë, tema më e diskutuar është e ardhmja mes shtyllave të përfaqësueses gjermane.

Aktualisht në Gjermani është rihapur debati: t’i besohet ende porta Ter Stegenit pas këtij operacioni apo të rikthehet në skenë Manuel Neuer, kapiteni i Bayern Munich (i lindur më 1986), i cili u tërhoq nga kombëtarja pas 15 vitesh, në përfundim të Europianit 2024? Llogaria e njohur në X, “Bayern & Germany @iMiaSanMia”, ka pohuar se Neuer e ka seriozisht Kupën e Botës 2026.

Sipas raportimeve në rrjete sociale, “operacioni i fundit i Ter Stegen dhe situata e vështirë e tij te Barcelona mund të hapin rrugën e një rikthimi të mundshëm të Neuer në kombëtare. Kapiteni i Bayernit, – thuhet në ‘X’, – nuk do të tërhiqet nëse trajneri Julian Nagelsmann ka nevojë për të dhe e thërret për Kupën e Botës 2026”.

Gazeta gjermane “Bild” e kishte përmendur këtë skenar që në mars, duke theksuar që, ndonëse Ter Stegen po rikthehej pas një dëmtimi serioz në gju, federata po shqyrtonte mundësinë e aktivizimit të Neuer.

Trajneri aktual i Gjermanisë, Julian Nagelsmann, është shprehur hapur muajt e fundit: “Marc-André është portieri im numër një”. Këtë e ka dëshmuar edhe me fakte, teksa në Ligën e Kombeve, Ter Stegen ishte titullar. Pas tërheqjes së Neuer dhe problemeve shëndetësore të Ter Stegen, trajneri Nagelsmann ka grumbulluar Oliver Baumann (35 vjeç, Hoffenheim) dhe Alexander Nubel (28 vjeç, pronë e Bayernit, por i huazuar te Stuttgart), që shihet si trashëgimtari i Neuer.

“Bild”, gazeta më e madhe në Gjermani ka ngritur pyetjen: “A do të jetë Oli Baumann, portieri ynë titullar në Kupën e Botës?” Pas dëmtimit të Ter Stegen, kandidatura e tij është forcuar. “Problemi, – shkruan ‘Bild’, – është se Ter Stegen nuk ka qenë në formë të plotë prej kohësh. Në shtator pësoi një dëmtim serioz në tendinën e gjurit, u rikthye për pak ndeshje në La Liga dhe për finalen e ‘Nations League’, dhe tani një tjetër pengesë. Operacioni në shpinë do ta mbajë disa muaj jashtë loje. Kjo është mundësia e Baumann”.

Kalendari nuk është në favor të Ter Stegen. Gjermania do të luajë ndeshje kualifikuese ndaj Sllovakisë (shtator-nëntor), Irlandës së Veriut (shtator-tetor) dhe Luksemburgut (tetor-nëntor). Në portë mund të jetë pikërisht Baumann, por nuk është i vetmi kandidat. Në listë janë edhe Noah Atubolu (23 vjeç, Freiburg), Finn Dahmen (27 vjeç, Augsburg), si dhe Nubel.

Nëse Ter Stegen do të rikthehej në formën e tij maksimale, do të kishte vetëm dy miqësore në mars dhe pak kohë përpara Botërorit për ta bindur Nagelsmann. Në këtë pasiguri, emri i Manuel Neuer po fiton gjithnjë e më shumë terren. Në mars mbush 40 vjeç, por legjenda e Bayernit mund të bëhet sërish portieri titullar i Gjermanisë në Kupën e Botës 2026.



Read it all at Bota Sot