Parisi po kërkon përjashtimin e sektorit të verës dhe pijeve alkoolike nga tarifat e reja amerikane, bëri të ditur të mërkurën Ministri i Tregtisë së Jashtme të Francës, Laurent Saint-Martin, pas arritjes së një marrëveshjeje tregtare midis SHBA-së dhe BE-së.
“Ajo që po kërkojmë shumë qartë është një përjashtim për sektorin e verës dhe pijeve alkoolike, përveç sektorit të aeronautikës,” tha Saint-Martin pas një takimi me përfaqësues të industrive të prekura nga marrëveshja, e cila parashikon tarifa 15% për shumicën e produkteve evropiane të eksportuara në SHBA që nga 1 gushti.
Franca eksporton çdo vit verëra dhe pije alkoolike në Shtetet e Bashkuara me një vlerë rreth 4 miliardë euro.
“Shpresoj që tarifa të mos kalojë nivelin 15%, që është një kufi real, dhe që për disa sektorë ajo të jetë zero. Mendoj veçanërisht për sektorin e verës, i cili po përballet me probleme të mëdha për shkak të uljes së prodhimit dhe rënies së konsumit,” deklaroi Ministrja Franceze e Bujqësisë, Anne Genevard.