Trajneri i mirënjohur i xhudos, Driton Kuka, ka ngritur zërin për një çështje thelbësore që ka të bëjë me të ardhmen e sportit në Kosovë, mungesën e një sistemi të organizuar edukativ për sportistët e rinj.
Në një reagim në ‘Facebook’, Kuka ka theksuar se Kosova si shtet i ri në sport ka një numër të madh të të rinjve të talentuar, sidomos në grupmoshat e reja, por që shpesh herë përballen me sfida të mëdha për të balancuar shkollimin dhe karrierën sportive.
“Fëmijët tanë meritojnë më shumë. Ne kemi obligim që ky numër të rritet, që ata të mos marrin rrugë tjera pos edukimit dhe sportit që promovon shëndet,” ka shkruar Kuka.
Kuka ka theksuar se shumë të rinj të talentuar humbin mundësinë për të ndërtuar karrierë për shkak të mungesave në mësim, që janë pasojë e udhëtimeve për gara dhe kampe stërvitore jashtë vendit.
“Po kërkojmë rezultate, por s’po u mundësojmë stërvitje elitare dhe edukim cilësor. Koha të reflektojmë, përndryshe rezultatet do jenë të zbehta për talentët tanë,” paralajmëron ai.
Ai ka përmendur si shembull pozitiv Gjermaninë, një shtet mik i Kosovës, ku shkolla elitare sportive e Potsdamit së fundmi ishte e pranishme në Pejë me gjithë stafin dhe kryetarin e qytetit, duke prezantuar modelin e funksionimit të tyre.
Në fund të thirrjes së tij, Kuka u bën apel të gjithë trajnerëve në sporte të ndryshme që të bashkojnë zërin në këtë nismë dhe të luftojnë për të siguruar një të ardhme më të ndritur për sportistët e rinj të Kosovës.