Saga mes Mauro Icardit dhe Wanda Narës duket se nuk ka fund.
Sipas asaj që raportohet nga gazetari argjentinas Pepe Ochoa, ish-sulmuesi i Interit ka vendosur të dhurojë të gjitha sendet që Wanda ka lënë në shtëpinë e tyre në Stamboll. Bëhet fjalë për rroba, këpucë, çanta luksoze dhe lodra; përfshirë edhe disa nga çantat ikonike që ajo posedonte, të cilat do t’iu kalojnë dy fondacioneve turke.
“Dy fondacione kanë marrë një mesazh nga Mauro Icardi, i cili shprehej se dëshironte t’ua dhuronte disa sende të Wandës dhe të fëmijëve. Arsyeja? Asnjëri prej tyre nuk jeton më aty dhe nuk kanë ndërmend të kthehen”, – deklaroi Ochoa në emisionin televiziv “Sálvese quien Pueda”. Sipas gazetarit, kjo ishte një nismë personale e Icardit, jo e ndikuar nga ndonjë marrëdhënie e re, siç është përfolur për China Suarez.
Ky veprim ka shkaktuar shqetësim në rrethin e afërt të Wanda Narës, e cila nuk ka dhënë asnjë leje për të hequr dorë nga ato sende. Për shumëkënd në rrjetet sociale, kjo është lexuar si hakmarrje e qartë, e mbështjellë me një gjest bamirësie nga ish-kapiteni i Interit. “Një hakmarrje totale, sepse ajo tha se kishte marrë gjithçka në Argjentinë. Atëherë Mauro i është përgjigjur: Vërtet? Atëherë unë do të dhuroj gjithçka që ke lënë në Turqi”, – shtoi Ochoa.
Wanda hesht, por udhëton me L-Gante
Deri më tani, Wanda Nara nuk e ka komentuar publikisht për çështjen, por po qëndron në qendër të vëmendjes për shkak të udhëtimeve të saj me L-Gante, reperin argjentinas me të cilin është përfolur për një lidhje. Edhe pse ka mohuar çdo rikthim romantik dhe vazhdon të deklarojë se është “single”, të dy janë parë së fundmi në Spanjë, Milano dhe Venecia.
Për momentin, kjo “dhuratë” nga Icardi për bamirësi mbetet e veshur me shumë dyshime dhe tension emocional, duke i shtuar një tjetër kapitull “telenovelës” që vazhdon prej vitesh mes ish-çiftit, tashmë në gjykatë për divorc dhe shumë mosmarrëveshje të mprehta.