Gyokeres vesh fanellën e Henryt

- Bota Sot

Gyokeres vesh fanellën e Henryt

Viktor Gyökeres ka folur për herë të parë si lojtar i ri i Arsenalit dhe ka bërë të qartë se kalimi te klubi londinez ka qenë prioriteti i tij absolut. Sulmuesi suedez ka refuzuar oferta konkrete nga klube të mëdha si Manchester United, Juventus dhe disa ekipe nga Lindja e Mesme, duke theksuar se “Arsenali ishte ajo që doja që në fillim”.

“Pati opsione shumë të mira, në Angli dhe Itali. Por që në momentin e parë ndjeva se Arsenali ishte vendimi i duhur. Nuk ishte aspak një zgjedhje e vështirë,” u shpreh 27-vjeçari në prezantimin e tij.

Pas dy sezoneve fantastike me Sporting Lisbonën dhe Kombëtaren e Suedisë, ku ka shënuar afro 100 gola në total, kalimi i Gyökeres në Premier League nuk ishte i lehtë. Ai u përball me tensione me klubin portugez, një gjobë të rëndë dhe kritika në rrjete sociale, pasi u akuzua se kishte ushtruar presion për largimin.

“Muaji i fundit ka qenë veçanërisht i vështirë. Është folur shumë, shpesh pa e ditur realisht çfarë po ndodhte. Ishte një periudhë e lodhshme, por më forcoi si person,” tha sulmuesi.

Megjithëse nuk e akuzoi drejtpërdrejt Sportingun, Gyökeres bëri të qartë se ishte gati për hapin e madh: “Si futbollist dua gjithmonë të jem në nivelin më të lartë. E ndjeja se isha gati për një tjetër sfidë, dhe këtë e dinin edhe te Sportingu.”

Te Arsenali, Gyökeres do të mbajë fanellën me numrin 14, e njohur nga tifozët si numri i Thierry Henry. Një përgjegjësi e madhe, por edhe një mundësi unike për të lënë gjurmë.



Read it all at Bota Sot