Trajneri i Egnatias, Edlir Tetova, pritet të ruajë të njëjtin formacion si në ndeshjen e kaluar, duke mos ndryshuar asgjë në rreshtim.
Të paktën, këto janë lajmet që vijnë nga kampi rrogozhinas, me dyshimin e vetëm që lidhet me një rikthim të mundshëm të Edison Ndrecës, në vend të Zamig Alijev në krahun e majtë të prapavijës.
Shanset janë që trajneri t’i besojë sërish 11-shes që dha përgjigje pozitive një javë më parë, me bindjen se kontinuiteti është çelësi për të ruajtur ritmin dhe automatizmat në lojë. Skema mbetet e njëjtë: 4-2-3-1, me një linjë mesfushore të balancuar dhe mbështetje të plotë për sulmuesin qendror. Në portë do të jetë Dajsinani, ndërsa pritet të ruhet katërshja e mbrojtjes me Alijev e Fangaj në krahë dhe Sota me Xhemajlin në qendër.
Dyshja Aleksi–Fernando do të kujdeset për ekuilibrin në mesfushë, ndërsa përpara tyre do të vendosen Gruda, Lushkja dhe Selmani, të cilët do të përpiqen të furnizojnë me topa sulmuesin kryesor Bakajoko.
Një formacion që ofron stabilitet, por edhe kreativitet në fazën sulmuese. Vendimi për të mos ndryshuar asnjë emër tregon qartë besimin që ka krijuar grupi aktual, ndërsa stafi teknik ka vendosur të mos rrezikojë me eksperimente në një moment kur skuadra po shfaq rritje dhe siguri.
Tetova kërkon ta kapitalizojë këtë vazhdimësi, duke ndërtuar një identitet loje të qëndrueshëm dhe të lexueshëm, me shpresën që rezultati i mirë të përsëritet edhe këtë javë.