Në ditën e tij të parë si lojtar i Arsenalit, Viktor Gyokeres nuk fshihet pas diplomacisë. Londra ishte gjithmonë destinacioni i ëndrrave. Pavarësisht interesimit konkret nga Juventusi, Manchester United dhe ofertave të majme nga Lindja e Mesme, sulmuesi suedez e kishte marrë vendimin pa asnjë dyshim.
“Kisha oferta shumë të mira, edhe nga Anglia dhe Italia, – ka treguar ai, – por që në fillim ndjeva se Arsenali ishte ajo që doja. Nuk ishte një zgjedhje e vështirë”.
Në moshën 27-vjeçare, Gyökeres zbarkon në Premier League pas dy sezoneve brilante me Sporting Lisbona dhe përfaqësuesen e Suedisë, me gati 100 gola të realizuar. Megjithatë, largimi nga Portugalia nuk kaloi pa tension. Marrëdhëniet me klubin u acaruan, pati një gjobë të rëndë dhe kritika nga tifozët, të cilët nuk e pritën mirë dëshirën e hapur të lojtarit për t’u larguar: “Muaji i fundit ka qenë i vështirë, u fol shumë dhe shpesh pa ditur të vërtetën. Ishte një periudhë që më forcoi shumë”.
Gyökeres nuk ka dashur të hyjë në polemika me Sportingun, por nënvizon se ka bërë zgjedhjen e duhur për të ardhmen: “Si futbollist dua të garoj gjithmonë në nivelin më të lartë. E ndjeja veten gati për hapin e madh, në Lisbonë e dinin këtë”.
Tani përballja me Premier League ka nisur zyrtarisht dhe Gyökeres do të mbajë fanellën legjendare me numrin 14, të cilën dikur e mbante Thierry Henry. Një simbol që sjell përgjegjësi, por edhe mundësinë për të fituar shpejt zemrat e tifozëve. Sinjalet e para janë inkurajuese. Fanella e tij është ndër më të shiturat në “Emirates”, një shenjë se “topçinjtë” e kanë përqafuar tashmë bomberin e ri.