Pas gati dy vitesh hetime, Federata Angleze e Futbollit (FA) ka konfirmuar vendimin e saj për çështjen e ndalimit të Lucas Paqueta lidhur me pjesëmarrje të dyshuar në baste.
Në gusht të vitit 2023, FA nisi një hetim zyrtar ndaj yllit të Ëest Ham United, Lucas Paqueta, pas vërejtjes së disa modeleve të dyshimta bastesh.
Gati një vit më vonë, në maj të vitit 2024, FA njoftoi se kishte ngritur akuza ndaj mesfushorit brazilian për dyshime se kishte qëllimisht provokuar për t’u ndëshkuar me karton të verdhë në katër ndeshje, duke shkelur rregullat e garës.
Sipas akuzave, incidentet e dyshuara ndodhën në ndeshjen ndaj Leicester City më 12 nëntor 2022, dhe në tri takime të tjera në vitin 2023: kundër Aston Villa më 12 mars, Leeds United më 21 maj dhe Bournemouth më 12 gusht.
Gjatë gjithë kohës, Paqueta i ka mohuar kategorikisht akuzat, duke deklaruar se situata i ka shkaktuar stres të madh emocional dhe fizik.
Tani, FA ka dalë me vendimin përfundimtar, duke publikuar një deklaratë zyrtare ku konfirmohet se Paqueta është shpallur i pafajshëm nga Komisioni i Pavarur Rregullator.
“Një Komision Rregullator i Pavarur ka marrë vendim se akuzat për sjellje të papërshtatshme ndaj Lucas Paqueta të West Ham United, në lidhje me shkeljet e supozuara të rregullit E5 të FA-së, nuk janë vërtetuar”.
“Paqueta u akuzua për katër raste të shkeljeve lidhur me sjelljen e tij gjatë ndeshjeve të Ligës Premier kundër Leicester City më 12 nëntor 2022, Aston Villa më 12 mars 2023, Leeds United më 21 maj 2023 dhe Bournemouth më 12 gusht 2023”.
“U pretendua se ai qëllimisht kërkoi të ndëshkohej me karton nga gjyqtari për të ndikuar në tregun e basteve në mënyrë që një ose më shumë persona të përfitonin financiarisht”, thuhej në reagimin e FA..