Sot është dita e fundit e vlefshmërisë së klauzolës prej 25 milionë eurosh për Denzel Dumfries, por pavarësisht interesit të mëparshëm, Barcelona nuk ka ndërmarrë asnjë hap konkret për të siguruar shërbimet e anësorit holandez.
Performanca e jashtëzakonshme e Dumfries në ‘Camp Nou’, më 30 prill, mbetet ende e freskët në kujtesën e katalanasve.
Ai realizoi dy gola spektakolarë, përfshirë një roveshatë dhe dhuroi një asist për Thuram, në barazimin 3-3 kundër Barcelonës në gjysmëfinalen e parë të Champions League.
Një paraqitje që elektrizoi publikun dhe vendosi holandezin në qendër të vëmendjes ndërkombëtare, përfshirë edhe vetë Barçën.
Katalanasit e analizuan seriozisht mundësinë për ta aktivizuar klauzolën e lirimit prej 25 milionësh, e cila ishte pjesë e rinovimit të fundit të Dumfries me Interin, kontratë që e mban atë në klub deri në 2028, me një pagë vjetore prej 4 milionë eurosh.
Për më tepër, në skenë u përfshi edhe agjenti i njohur Jorge Mendes, me të cilin Dumfries ka bashkëpunuar së fundmi.
Megjithatë, nuk pati asnjë lëvizje konkrete nga Barcelona, dhe kështu, përveç ndonjë surprize të minutës së fundit, Dumfries do të vazhdojë të jetë pjesë e Interit, ku është pjesë qendrore në projektin e trajnerit të ri Cristian Chivu.
Konkurrencë e shtuar në krahë
Megjithëse Dumfries është një titullar i konfirmuar, konkurrenca në pozicionin e tij është rritur: Interi ka investuar 23 milionë euro plus bonuse për Luis Henrique, një lojtar me të njëjtin rol, por me më shumë prirje për driblim.
Po ashtu, sistemi i lojës pritet të ndryshojë, me kalimin nga një mesfushë me pesë lojtarë në një formacion me katër, çka do të ndryshojë edhe rolin e anësorëve.
Në kampin zikaltër nuk ka pasur sinjale për një largim të menjëhershëm nga ana e lojtarit, ndaj klubi ka pritur me qetësi përfundimin e afatit të klauzolës.
Megjithatë, Interi nuk përjashton mundësinë që në të ardhmen të marrë parasysh oferta të reja, edhe pse është pak e mundur që ndonjë klub të paraqitet me të njëjtën shifër prej 25 milionësh tashmë që afati ka skaduar.
Në mungesë të ndonjë oferte zyrtare nga Barcelona, Denzel Dumfries mbetet pjesë kyçe e Interit dhe do të vazhdojë të jetë protagonist në sezonin e ri në krahun e djathtë.