Përfundimi me sukses i transferimit të Luis Diaz nga Liverpul është një lehtësim për Bajernin – dhe gjithashtu heq një pjesë të presionit nga kampionët në marrëveshjen e dytë të mundshme prej miliona eurosh për lojtarin e Shtutgartit, Nik Voltemejd. Transferimi i Diazit mban qartazi firmën e drejtorit ekzekutiv të Bajernit, Jan-Kristian Dresen dhe bisedimet me Shtutgartin janë gjithashtu prioritet i lartë.
Dresen kontaktoi personalisht drejtorin ekzekutiv të Shtutgartit, Aleksander Vehrle, i cili thuhet se ishte i befasuar fillimisht. Bisedat midis tyre zakonisht ndodhin vetëm në fund, kur një marrëveshje po finalizohet.
Që nga oferta e dytë – 50 milionë euro plus 5 milionë në formë bonusesh – Bajern nuk ka kontaktuar më. Ata duan të presin, duke qenë të vetëdijshëm për dëshirën e Voltemejdit për t’u larguar. Sipas SPORT BILD, në klub po diskutohet brenda që të vendoset një afat përpara ndeshjes së Superkupës kundër Bajernit më 16 gusht, një datë deri kur duhet të ketë mbërritur oferta përfundimtare, qoftë nga Bajern apo nga një klub tjetër i interesuar.
Pas asaj date, gjithçka duhet të jetë e qartë: Nëse Voltemejd është ende në Shtutgart, ai nuk do të shitet! Pavarësisht se sa e lartë mund të jetë oferta… “E kuptoj nëse Shtutgarti thotë: ‘Pse ta lëmë të largohet Voltemejdin për më pak se Diaz, për të cilin Bajerni paguan 75 milionë? Voltemejd është më i ri dhe përfaqësues gjerman, mund të bëhet shembull për të tjerët’. Shtutgarti i ka argumentet në anën e vet”, u shpreh Lotar Mateus për SPORT BILD, duke përjashtuar mundësinë që Shtutgarti të tërhiqet.
Oferta prej 50 + 5 milionë euro tani është shumë e ulët për ta vendosur Shtutgart-in në tryezën e bisedimeve. Por sa është çmimi real i golashënuesit më të mirë të Kampionatit Europian U-21? Mateus shprehet:
“Nuk dua të jap një shifër të saktë, por mendoj se tarifa fikse e transferimit për të biseduar me Bajernin duhet të jetë të paktën 70 milionë euro, me bonuse që shkojnë deri në 80 milionë, por ky është vetëm një vlerësim imi”.