Shqiptari mund të bëhet pjesë e marrëveshjes me klubin gjerman

- Bota Sot

Shqiptari mund të bëhet pjesë e marrëveshjes me klubin gjerman

E ardhmja e Armando Brojës te Chelsea mbetet e pasigurt, ndërsa emri i tij ka dalë në skenë si pjesë e mundshme e një shkëmbimi mes klubit londinez dhe RB Leipzig, në negociatat për transferimin e Xavi Simons.

Sipas The Telegraph, Chelsea kërkon me ngulm të transferojë talentin holandez Xavi Simons, që sezonin e kaluar shkëlqeu pikërisht te Leipzig. Edhe pse Blutë ende nuk kanë bërë një ofertë zyrtare, ekziston optimizëm se një marrëveshje mund të arrihet, dhe në këtë drejtim, përfshirja e Brojës si pjesë e marrëveshjes është një opsion i mundshëm.

RB Leipzig është e interesuar për tre lojtarë të Chelsea-t: Armando Broja, sulmuesi i ri Tyrique George dhe Carney Chukwuemeka, i cili synon një rikthim te Borussia Dortmund.

Për Brojën, interesimi i gjermanëve vjen në një moment kur edhe disa klube europiane po e ndjekin nga afër situatën e tij.

Përfshirja e Brojës në marrëveshje shihet si një mënyrë për të ulur kërkesat financiare të Leipzig për Xavi Simons, ndërkohë që vetë sulmuesi shqiptar është në kërkim të një klubi ku mund të ketë hapësira të rregullta loje, diçka që nuk i garantohet te Chelsea nga trajneri Enzo Maresca.

Pas një huazimi të pafrytshëm te Everton, Broja kërkon të rilindë karrierën e tij – dhe Bundesliga mund të jetë një skenë ideale për ta bërë këtë.

Chelsea po e shikon merkaton verore jo vetëm për përforcime, por edhe për të rregulluar bilancin financiar, dhe largimi i Brojës me përfshirje në një marrëveshje të madhe do të ishte një lëvizje strategjike që mund të kënaqte të gjitha palët.



Read it all at Bota Sot