Drejtori i Atalantës: Lukman do të largohet

- Bota Sot

Drejtori i Atalantës: Lukman do të largohet

Merkato mund të sjellë gjithmonë të papritura, dhe këtë verë, Ademola Lukman është kthyer në një nga emrat më të përfolur në kampionatin italian.Drejtori ekzekutiv i Atalantës, Luka Perkasi, ka konfirmuar publikisht dëshirën e sulmuesit nigerian për të ndryshuar ambient dhe ka lënë të hapur mundësinë e largimit të tij. “Ademola prej kohësh ka shprehur dëshirën për t’u larguar, ky nuk është më sekret”, deklaroi Perkasi gjatë prezantimit të blerjes së re, Ahanor.

“Në të gjitha planet tona, ai ishte lojtari që duhej të largohej këtë verë, pasi një shitje e rëndësishme çdo sezon është pjesë e filozofisë sonë. Por merkatoja sjell gjithmonë surpriza dhe e dini të gjithë çfarë ndodhi me Retegin. Për Lukmanin kishte interesime të shumta, por deri dje nuk kishte asgjë konkrete”.

Sipas mediave italiane, interesimi konkret ka ardhur nga Interi, që ka ofruar 42 milionë euro plus 3 milionë në formë bonusesh, një total prej 45 milionësh, që megjithatë nuk arrin shifrën prej 50 milionë eurosh të kërkuara nga Atalanta. Pavarësisht kësaj, marrëdhëniet e mira mes dy klubeve dhe një marrëveshje paraprake me lojtarin mund të çojnë drejt një konkretizimi.

“Kam takuar Marotën në Ligë, jemi miq dhe do ta shqyrtojmë me qetësi ofertën e Interit”, shtoi Perkasi.

“Megjithatë, kohët dhe kushtet për largimin e Lukmanit i vendos vetëm Atalanta”. Ndërkohë, Interi dhe vetë lojtari raportohet se kanë arritur një marrëveshje të përkohshme për një kontratë katërvjeçare me pagë mes 4 dhe 4.5 milionë euro në sezon, më shumë se dyfishi i asaj që përfiton aktualisht tek Atalanta (1.8 milionë euro).

Tashmë, gjithçka duket të varet nga vendimi i klubit bergamask. Do të pranojë Atalanta ofertën e Interit apo do të mbetet e palëkundur në kërkesën për 50 milionë euro? Ditët në vijim priten të jenë vendimtare për të ardhmen e Ademola Lukman.



Read it all at Bota Sot