Mesfushori i përfaqësueses portugeze, Joao Palhinha, është shumë pranë rikthimit në Premier League, kësaj here me fanellën e Tottenham Hotspur. Bayern Munich ka dhënë dritën jeshile për transferimin e 30-vjeçarit, i cili pritet të udhëtojë drejt Londrës për të kryer vizitat mjekësore dhe për të firmosur kontratën.
Marrëveshja mes klubeve është në formën e huazimit me të drejtë blerjeje, por jo të detyrueshme.
Sipas gazetarit të njohur, Fabrizio Romano, nëse Tottenham vendos ta blejë përfundimisht kartonin e Palhinha-s, do të duhet të paguajë 30 milionë euro. Klubi londinez do të mbulojë tërësisht pagën e lojtarit gjatë huazimit.
Palhinha, i cili u transferua te Bayern nga Fulham për 51 milionë euro verën e kaluar, nuk arriti të siguronte një vend titullari të rregullt në skuadrën bavareze, duke nisur vetëm 10 nga 25 ndeshjet e zhvilluara në sezonin 2024/25. Me dëshirën për të pasur më shumë minuta dhe për të rikuperuar formën më të mirë, ai e ka mirëpritur kalimin te “Spurs”.
Mesfushori me profil mbrojtës është një njohës i mirë i Premier League, pasi shkëlqeu më parë nën drejtimin e Marco Silva-s te Fulham. Rikthimi në Angli shihet si një mundësi për të rifituar rolin e liderit në mesfushë dhe për t’u përgatitur në mënyrën më të mirë për sfidat me përfaqësuesen portugeze.