Duka: Kështu forcohet imazhi i kampionatit tonë

- Bota Sot

Duka: Kështu forcohet imazhi i kampionatit tonë

Egnatia dhe Dinamoja vazhdojnë më tej rrugëtimin e tyre në arenën europiane.

Të dyja skuadrat janë kualifikuar në turin e tretë të Ligës së Konferencës, ku do të përballen respektivisht me Olimian e Ljubjanës dhe me Hajdukun e Splitit.

Nuk ka munguar urimi i Armand Dukës për këtë arritje.

Kreu i FSHF-së ka përgëzuar Egnatian dhe Dinamon përmes një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”. Sipas tij, mbërritja në turin e tretë forcon edhe imazhin e kampionatit shqiptar në Europë.

Gjithashtu Duka vlerëson edhe paraqitjen e Vllaznisë, e cila edhe pse u eleminua në kohën shtesë, tregoi karakter dhe dinjitet.

“Dinamo City & Egnatia shkruajnë një tjetër faqe suksesi për futbollin shqiptar në Europë! Urime dy klubeve tona për kualifikimin në turin e tretë të UEFA Conference League! Dinamo City menaxhoi me qetësi një tjetër ndeshje të vështirë dhe siguroi kalimin e mëtejshëm, ndërsa Egnatia tregoi edhe një herë forcë dhe personalitet, duke fituar sërish ndaj Dinamo Minskut dhe duke bërë paraqitje mjaft të mira në këtë kompeticion.

Kjo është një arritje e rëndësishme për futbollin shqiptar, që rrit kredibilitetin e klubeve tona dhe forcon imazhin e kampionatit tonë. Uroj që ky rrugëtim të vazhdojë edhe më tej me suksese të tjera!

Ndërkohë, Vllaznia meriton gjithashtu respekt për paraqitjet e saj. E eliminuar vetëm në kohën shtesë, tregoi karakter dhe garoi me dinjitet. Koha për të reflektuar dhe për t’u përgatitur për sezonin e ri, me të njëjtin pasion dhe ambicie”, ka shkruajtur Armand Duka.



Read it all at Bota Sot