Robinho, biznes nga burgu

- Bota Sot

Robinho, biznes nga burgu

Ish-futbollisti brazilian Robinho, që ndodhet në burgun e Tremembé në Brazil, duket se nuk po e humb kohën në kushtet e reja të jetës së tij. Edhe pse po vuan një dënim prej 9 vitesh për pjesëmarrje në një përdhunim në grup në Itali në vitin 2013, akuzë që ai vazhdon ta mohojë, Robinho ka filluar të ndërtojë plane për të ardhmen.

Sipas medieve braziliane, 41-vjeçari po bashkëpunon me hakerin Walter Delgatti, i dënuar me 8 vjet e 3 muaj për ndërhyrje në sistemet e Këshillit Kombëtar të Drejtësisë në Brazil.

Dyshja planifikon të hapë një kompani bastesh sapo të lirohen, duke kombinuar famën e Robinhos me ekspertizën teknologjike të Delgatti-t.

Megjithëse ndodhen në qeli të ndara, ata kalojnë shumë kohë bashkë gjatë orëve të shëtitjes dhe kanë ndërtuar një marrëdhënie të fortë bashkëpunimi. Robinho aktualisht po përpiqet të kalojë në regjim gjysmë të hapur, falë sjelljes shembullore në burg.

Ai ka përfunduar një kurs elektronik prej 600 orësh, merret me kopshtari, rregullon pajisje elektronike, është pjesë e klubit të leximit dhe ka përfunduar të gjitha modulet e programit të edukimit për punë e qytetari.

Ndërkohë, ai pranon vetëm vizita nga familjarë të gradës së parë: bashkëshortja dhe tre fëmijët, përfshirë djalin e madh Robson Jr., i cili tashmë ka debutuar me Santosin. Në pritje të një vendimi të ri ligjor, Robinho mban një profil të ulët, por pa e ndalur aspak ambicien për të ndërtuar diçka jashtë hekurave.



Read it all at Bota Sot