Një nga skenat më të ndjera të Kupës së Ligës u regjistrua gjatë fitores dramatike të Inter Miami ndaj Atlas FC, ku Lionel Messi dhe sulmuesi uruguaian Matías Cóccaro u përfshinë në një shkëmbim emocional në fushë, që përfundoi me një përqafim dhe shkëmbim fanellash.
Në një intervistë pas ndeshjes, Cóccaro sqaroi se tensioni që u pa në fushë ishte rezultat i intensitetit të lojës.
“Kur shënuam golin e barazimit, entuziazmi im nuk i pëlqeu Messit. Kur ata shënuan, ai festoi para meje. Por më pas u përqafuam dhe ai madje më kërkoi falje. Më tha që do të më dërgojë fanellën e tij, një gjest që tregon madhështinë e tij,” tha ai.
Cóccaro nuk kurseu fjalët e mira për yllin argjentinas: “Ai është më i madhi në histori. Me të, unë thjesht hesht… me askënd tjetër. Dhe Suárez? Ai është idhulli im,” u shpreh ai.
Sulmuesi i Atlas shtoi se Messi kuptoi se gjithçka ishte pjesë e përkushtimit për skuadrën dhe nuk kishte asgjë personale:
“Ai e kuptoi që unë jetoj për Atlasin. Nuk kishte pse të kërkonte falje, por kjo e bën atë edhe më të madh në sytë e mi.”
Messi pati një tjetër paraqitje të shkëlqyer, duke dhuruar dy asistime, krijuar tri raste të mëdha dhe kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në golin vendimtar në minutën e fundit.
Për Atlasin, humbja e vendos skuadrën në një pozitë të vështirë për kualifikim, megjithëse ata kanë ende dy ndeshje për të ndryshuar situatën – ndaj Orlando City dhe Atlanta United.