Shitjet po bllokojnë mbërritjen e Jadon Sancho te Juventusi.
Anglezi ka dhënë tashmë miratimin e tij, por bardhezinjtë po marrin ende kohë. Kjo situatë pritjeje mund të favorizojë vërtet Borussia Dortmundin, e cila po mendon seriozisht ta rikthejë në “shtëpi” për herë të tretë 25-vjeçarin, që vjen nga një sezon huazimi te Chelsea.
Në pritje është edhe Manchester United, që zotëron kartonin e lojtarit, i gatshëm të heqë dorë nga fantazisti për shifrën e rreth 20 milionë eurove.
Për një rikthim të mundshëm të Sancho te BVB ka folur edhe drejtori sportiv i klubit, Sebastian Kehl: “Jemi në kontakt të vazhdueshëm me të dhe e kuptojmë dëshirën e tij. Po e shqyrtojmë, por duhet të marrim parasysh mundësitë dhe kufijtë tanë në treg. Do të bëjmë diçka, por kushtet duhet të jenë të duhura”.
Është e qartë që verdhezinjtë tashmë kanë nisur lëvizjet dhe negociatat janë në zhvillim. Brenda klubit verdhezi, sipas burimeve nga Gjermania, ekzistojnë disa dyshime për ndikimin real që mund të ketë Sancho në skuadrën e drejtuar nga Kovac.
Ato që diktojnë reflektim janë cilësitë e lojtarit të lindur më 2000, i cili nuk ka arritur të imponohet as te Chelsea, as te Manchester United. Ka gjithashtu dilema për suksesin e një aventure të tretë te klubi gjerman, i cili nga disa është kritikuar për mungesë “fantazie” në merkato; domethënë për përpjekjet e përsëritura për të rikthyer objektiva të vjetër ose ish-lojtarë të klubit.
Aktualisht, ashtu siç ka bërë edhe me Juventusin, Sancho është i gatshëm ta ulë ndjeshëm pagën e tij prej 16 milionë eurosh në sezon, edhe me 50%, sipas “Bild”. Tabolidi gjerman është i sigurt: Jadon Sancho dëshiron “ta përqafojë” sërish Borussia Dortmundin.