Dodik nuk e pranon aktgjykimin me të cilin u dënua me burgim dhe ndalim të veprimtarisë politike

- Bota Sot

Dodik nuk e pranon aktgjykimin me të cilin u dënua me burgim dhe ndalim të veprimtarisë politike

Millorad Dodik, presidenti i entitetit serb të Bosnjë e Hercegovinës, Republika Sërpska (RS), është dënuar me vendim të formës së prerë të premten, më 1 gusht, për mosrespektim të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë.

Trupi gjykues e ka konfirmuar aktgjykimin e shkallës së parë të 26 shkurtit, me të cilin Milorad Dodik është dënuar me një vit burgim dhe ndalim prej gjashtë vjetësh për ushtrimin e funksioneve politike.

Aktgjykimin e ka shpallur trupi gjykues prej tre anëtarësh, i përbërë nga Amella Huskiq, Vesna Jesenkoviq dhe Hillmo Vuçiniq.

Siç u bë e ditur nga Gjykata e Bosnjë e Hercegovinës, aktgjykimi u është dërguar palëve më 1 gusht dhe kundër tij nuk lejohet ankesë.

Dodik, në një konferencë të jashtëzakonshme për media në Banjallukë, tha se nuk e pranon dënimin.

“Institucionet e RS-së do ta përcaktojnë qëndrimin e tyre për këtë çështje. Unë do të pranoj çdo vendim të Parlamentit, por këtë vendim nuk e pranoj”, tha Dodik.

Ai paralajmëroi se Kuvendi i RS-së do të miratojë vendime të reja dhe se duhet të hartohet një “plan i qartë për të dalë nga kjo situatë”, pa dhënë hollësi se për çfarë vendimesh bëhet fjalë.

“Të gjitha vendimet tona do të jenë politike. Gjykata e Bosnjë e Hercegovinës është diskualifikuar si organ juridik”, theksoi Dodik, duke shtuar se nuk do të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme në RS.

“Zgjedhje nuk do të ketë përderisa jam unë president. U bëj thirrje bashkëpunëtorëve të mos lejojnë mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe policisë që të ndalojë hapjen e çfarëdo vendvotimi”, u shpreh ai.

Dodik tha gjithashtu se pret mbështetjen e Serbisë dhe se do t’u drejtohet edhe Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Avokati i Dodikut, Goran Bubiq, tha pas shpalljes së aktgjykimit se do të dorëzohet një ankesë në Gjykatën Kushtetuese të Bosnjë e Hercegovinës, me qëllim që të tentohet kontestimi i tij.

“Do të kërkojmë edhe një masë të përkohshme për të pezulluar zbatimin e aktgjykimit deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë e Hercegovinës”, tha Bubiq në një konferencë për media të premten në Banjallukë, duke shtuar se këto janë hapa të nevojshëm për të vijuar me ankesën në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Kundër aktgjykimit të shkallës së parë të Gjykatës së Bosnjë e Hercegovinës kanë ushtruar ankesë si ekipi juridik i Dodikut, ashtu edhe Prokuroria e Bosnjë e Hercegovinës.

Prokuroria ka kërkuar ashpërsimin e dënimit me burg, si dhe zgjatjen e ndalimit për ushtrimin e funksioneve, ndërsa mbrojtja ka kërkuar anulimin e aktgjykimit.

Dodik është shpallur fajtor për nënshkrimin e dekretit për shpalljen e ligjeve që më herët ishin anuluar nga Përfaqësuesi i Lartë në Bosnje e Hercegovinë, Christian Schmidt.



Read it all at Bota Sot