Lituania gjen një dron nga Bjellorusia në poligonin e saj të stërvitjes ushtarake

- Bota Sot

Lituania gjen një dron nga Bjellorusia në poligonin e saj të stërvitjes ushtarake

Ushtria lituaneze ka gjetur një mjet ajror pa pilot që beson se ka hyrë në hapësirën e saj ajrore nga Bjellorusia pas disa ditësh kërkimesh, njoftoi ushtria sot.

Mjeti ajror pa pilot u gjet në poligonin e stërvitjes ushtarake Gaiziuinai pranë qytetit Jonava, tha ushtria.

Sipas raporteve fillestare, bëhet fjalë për dronin Geran që i ngjan dronëve luftarakë Shahed të përdorur nga Rusia në luftën kundër Ukrainës, transmeton kp.

Ushtria lituaneze dhe autoritetet e tjera kanë hetuar incidentin me një objekt fluturues që u vu re nga qytetarët për pesë ditë.

Objekti është parë për herë të fundit pranë kryeqytetit Vilnius. Sipas ushtrisë, droni ka shumë të ngjarë të jetë devijuar nga mbrojtja ajrore ukrainase.

Kur u pyetën se si objekti fluturues u rrëzua pa u vënë re në terrenin e stërvitjes ushtarake lituaneze, përfaqësuesit e ushtrisë shpjeguan se nuk ka pajisje radari në atë zonë.

Lituania, një anëtare e NATO-s dhe Bashkimit Evropian, i dërgoi një notë proteste Minskur zyrtar duke kërkuar një shpjegim. Përveç kësaj, vendi baltik ka vendosur trupa shtesë dhe sisteme të mbrojtjes ajrore në kufirin e saj me Bjellorusinë.

Bjellorusia është një aleat i ngushtë i Rusisë. Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, dronët kanë hyrë vazhdimisht në hapësirën ajrore të vendeve fqinje baltike.



Read it all at Bota Sot