James Milner, futbollist i Brighton & Hove Albion, ka vendosur të nderojë ish-bashkëlojtarin e tij te Liverpool, Diogo Jota, duke veshur fanellën me numrin 20 këtë sezon në Premier League.
Ky vendim vjen pas ndarjes tragjike nga jeta të Jotës, i cili humbi jetën në një aksident automobilistik në Spanjë muajin e kaluar.
Jota dhe vëllai i tij, Andre Silva, humbën jetën në fillim të korrikut kur makina e tyre doli nga rruga dhe mori flakë në veriperëndim të Spanjës. Diogo Jota kishte mbajtur fanellën me numrin 20 gjatë kohës sa luante për Liverpool, ku kaloi tri sezone bashkë me Milner para se ky i fundit të kalonte te Brighton në vitin 2023.
“Pasi dëgjova që Carlos Baleba po kërkonte ta ndërrojë numrin dhe numri 20 ishte i lirë, desha ta marr si shenjë respekti për Jotën,” ka deklaruar Milner. “Ai ishte një lojtar i jashtëzakonshëm dhe mik i mirë. Do të jetë një nder i madh të mbaj numrin e tij në Premier League”.
Klubi i Liverpool ka vendosur që ta pensionojë përfundimisht fanellën me numrin 20, në marrëveshje me fmailjen e Jota, Rute. Ky numër nuk do të përdoret më nga asnjë ekip i klubit, përfshirë ekipin e femrave dhe akademinë.