Marvin Çuni rikthehet në Itali, ndërsa është bërë pjesë e Sampdorias në Serinë B.
Sipas komunikatës së klubit të Sampdorias, Çuni është marrë përkohësisht nga Rubin Kazan me opsionin e blerjes përfundimtare në mbyllje të kontratës me klubin nga Xhenova. Sulmuesi ka nënshkruar me Sampdorian deri më 30 qershor 2029.
Marvin Çuni ka lindur në Freizing të Gjermanisë më 10 korrik 2001 dhe në karrierën e tij ka luajtur me skuadrën e dytë të Bajern Mynih. Më pas ka lëvizur në skuadrat gjermane të Sonenhof Grobaspah, Paderborn dhe Sarbryken.
Karriera e tij shënoi kulmin kur luajti në Serinë A me Frozinone prej së cilës kaloi tek rusët e Rubin Kazan me të cilët numëron 10 ndeshje.
Fillimisht ka qenë pjesë e kombëtares së 19-vjeçarëve të Shqipërisë, ndërsa u ftua dhe në miqësoren ndaj Bullgarisë më 14 tetor 2023 nga Silvinjo, teksa kuqezinjtë fitonin 2-0. E për Sampdorian, që kërkon ngjitjen në Serinë A, ardhja e Marvin Çunit është një vlerë e shtuar në repartin e sulmit.